​Kryeministri i Francës jep dorëheqje pas më pak se një muaji në detyrë

​Kryeministri i Francës jep dorëheqje pas më pak se një muaji në detyrë

Kryeministri i ri i Francës dha dorëheqje vetëm 14 orë pasi e kishte emëruar kabinetin e tij të ri, pasi aleatët dhe kundërshtarët e kërcënuan se do ta rrëzonin Qeverinë e tij. Dorëheqja e tij e shpejtë ishte e papritur, duke e thelluar edhe më tej krizën politike në Francë. Partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, kërkoi menjëherë nga presidenti Emanuel Macron të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pas konsultimeve disajavore me parti nga i gjithë spektri politik, Lecornu, kishte emëruar ministrat e tij të dielën, dhe ata pritej të mbanin mbledhjen e parë të kabinetit. Por, përbërja e re e kabinetit zemëroi si kundërshtarët, ashtu edhe aleatët, të cilët e konsideruan atë ose tepër të djathtë, ose pamjaftueshëm të tillë, duke ngritur pyetje se sa gjatë mund t’ia dalë ajo në një kohë kur Franca tashmë ndodhet në krizë të thellë politike, me një Parlament ku asnjë grup nuk ka shumicë. Politika franceze është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme që prej rizgjedhjes së Macronit në vitin 2022, për shkak të mungesës së një partie apo koalicioni me shumicë parlamentare. Lecornu, i cili u emërua muajin e kaluar, ishte kryeministri i pestë i Macronit brenda dy vjetësh.

“Nuk u plotësuan më kushtet që unë të kryeja detyrat e kryeministrit dhe të lejoja qeverinë të dilte para Asamblesë Kombëtare nesër. Ka shumë vija të kuqe të tërhequra nga kaq shumë njerëz. Megjithatë, parimi i ndërtimit të një kompromisi midis partive politike është të jemi në gjendje të kombinojmë vijat e gjelbra dhe të marrim parasysh një numër të caktuar vijash të kuqe, por nuk mund të jemi në të dy ekstremet, dhe disa parti politike të opozitës e kanë kuptuar këtë, dhe dua t’i falënderoj. Që tani e tutje, duhet të jemi në gjendje të ecim përpara, të paktën ata që duan të gjejnë një rrugë për vendin duhet të jenë në gjendje të ecin përpara”, deklaroi Sebastien Lecornu, Kryeministër Francez në dorëheqje. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button