Kryeministri italian: Nesër rifillojmë vaksinimin me AstraZeneca

Italia do të rifillojë programin e saj të vaksinimit kundër epidemisë COVID-19 të premten me vaksinën AstraZeneca, njoftoi sot kryeministri italian Mario Draghi pas përfundimeve të rregullatorit europian (EMA), që e konsideron këtë vaksinë “të sigurt dhe efikase”.

“Qeveria italiane mirëpret deklaratat nga EMA. Administrimi i vaksinës AstraZeneca do të rifillojë nesër”, tha Draghi.

“Përparësia e qeverisë mbetet arritja e numrit më të madh të vaksinimeve, sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi në një deklaratë.

Sipas Agjencisë Italiane të Barnave (AIFA), mendimi i EMA-s bën që “arsyet për ndalimin e vaksinës Astrazeneca të mos ekzistojnë më dhe që të rinisë fushata e vaksinimit”.

Agjencia Europiane e Barnave (EMA) e konsideroi sot përdorimin e vaksinës antiCOVID-19 “AstraZeneca” si të sigurt, pavarësisht raporteve në lidhje me mpiksjet e gjakut.

”Mbërritëm në një konkluzion të qartë shkencor. Astra-Zeneca është një vaksinë e sigurtë dhe efektive”, tha EMA.

“Përfitimet janë shumë herë më të mëdha se sa risqet. Vaksina nuk shoqërohet me një rritje të rrezikut të përgjithshëm të ngjarjeve tromboembolike ose mpiksjes së gjakut”, theksoi ajo.

“Provat në botën reale, sugjerojnë që vaksina ka një efektshmëri edhe më të lartë se sa ajo e treguar gjatë testeve”, përfundon EMA.

LEXO EDHE:

Back to top button