Kryeprokurori Lupço Kocevski kaloi një mandat të shkurtër por të mbushur me kritika, përplasje dhe presione

Kryeprokurori Lupço Kocevski kaloi një mandat të shkurtër por të mbushur me kritika, përplasje dhe presione

Gazetare: Fatlume Dervishi

Dorëheqja e Kryeprokurorit Publik pritet t’i japë fund një procesi të gjatë kritikash, presioni politik dhe përplasjeje mes pushtetit ekzekutiv dhe Prokurorisë, proces që kishte nisur më shumë se një vit më parë. Tani nga VMRO-DPMNE-ja thonë se largimi i Kocevskit duhet të kishte ndodhur më herët. Ata besojnë se zgjedhja e prokurorit të ri do të bëhet në muajin janar.

“Kjo është dashur të ndodhë shumë më herët. Humbëm shumë muaj ku mund ta kthenim besimin në shtetin e të së drejtës sepse është e qartë se ka shumë lëndë që duhet të hapen nga Prokuroria publike. Në opinion kishte ndjenjë se mungon, do të thosha, arritja e drejtësisë. Edhe po të mos të ndodhte dorëheqja, gjithsesi do të shkarkohej nga Kuvendi. Hapat e radhës vërtetohen në vet aktet ligjore, andaj, do të hapet konkurs për çka i thërrasim të gjithë ata që mendojnë që janë mjaftueshëm cilësorë dhe i plotësojnë kushtet, të paraqiten dhe pres diku në janar të emërohet prokurori i ri publik shtetëror, me shpresë të madhe se do të veprojë, fillimisht, në mënyrë joselektive e më shpesh nga ajo që e bënin këto prokurorë”, deklaroi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Ministria e Drejtësisë, me kërkesë të Qeverisë, muaj më parë përgatiti një propozim formal për shkarkimin e tij, por procesi u ndërpre përkohësisht pas tragjedisë në diskotekën “Puls” në Koçan, ku Prokuroria nën drejtimin e Kocevskit hapi hetim për rastin.

Megjithatë, presioni politik nuk u ndal. Kryeministri në disa dalje publike paralajmëroi se pas zgjedhjeve lokale Kocevski do të shkarkohej. Këshilli i Prokurorëve në prill të këtij viti dha mendim negativ për shkarkimin, por, Qeveria e akuzoi Kocevskin për nxjerrje të paautorizuar të informacioneve nga lëndë gjyqësore, shkelje të detyrimit për ruajtjen e fshehtësisë së procedurave, cenim të reputacionit të Prokurorisë Publike dhe mosveprim në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Sipas tyre, Kocevski “e kishte fjetur mandatin”, duke mos hapur raste të korrupsionit të lartë dhe duke mos vepruar ndaj dhjetëra kallëzimeve të dërguara nga Ministria e Punëve të Brendshme. Një nga akuzat më të rënda lidhej me emërimin e një ushtruesi detyre të prokurorit të lartë pa respektuar procedurat ligjore, si dhe me mosndjekjen e përgjegjësisë në rastin e gjyqtarit Naqe Georgiev dhe prokurorit Ixhet Memeti.

Ndërkohë, Kocevski, pavarësisht pritshmërive për largim të parakohshëm, shfaqej publikisht i sigurt, duke deklaruar se me zgjedhjen e tij për kryeprokuror, gjendja në prokurori kishte nisur të përmirësohej.

Goditja e dytë institucionale ndaj tij erdhi më 29 korrik 2025, kur Kuvendi votoi interpelancën ndaj Kryeprokurorit, të propozuar nga partia opozitare E Majta dhe të mbështetur nga shumica qeverisëse e VMRO-DPMNE-së.

Kocevski do të mbahet mend si një kryeprokuror mandati i të cilit u karakterizua më shumë nga përplasjet institucionale dhe kritikat për mungesë efikasiteti, sesa nga rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit të lartë.

Dorëheqja e tij hap një kapitull të ri por me pyetje të vjetra për pavarësinë e drejtësisë dhe ndikimit politik në sistemin juridik të vendit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button