Kryetarja e Antikorrupsionit, e dyshuar në rastin Aditivët mund të përballet me maksimumi 5 vjet burg për dhënie të sekreteve zyrtare
Kryetarja e Antikorrupsionit, e dyshuar në rastin Aditivët mund të përballet me maksimumi 5 vjet burg për dhënie të sekreteve zyrtare

Përmes Viber-it dhe WhatsApp-it, kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, i ka dhënë informacione konfidenciale ish-drejtorit të TEC Negotinë, Nebojsha Stojanoviq, nga procedurat që i kishin ndërmarrë antikorrupsionarët kundër tij për rastin “Aditivët”, në të cilin tani edhe vetë ajo është e dyshuar. Gjatë një periudhe prej tetë muajsh, përmes shkëmbimit të mesazheve, Stojanoviq ka marrë informacione nga Dimitrovska lidhur me procedurat për këtë rast që zhvilloheshin edhe ndaj personave të afërt me të, si dhe për të dhënat që Antikorrupsioni i kishte mbledhur gjatë kontrollit të pasurisë me të cilën dispononte ai dhe familja e tij. Për shkak të gjithë kësaj, Prokuroria e dyshon atë për dhënie të sekretit zyrtar, dhe siç qëndron në Kodin Penal, Dimitrovskës për këtë vepër penale i kërcënohet dënim me burg prej tre muajsh deri në maksimum pesë vjet. Gjykata dje ia konfiskoi edhe pasaportën, ndërsa Dimitrovskës iu shqiptuar ndalesë për të ushtruar funksion në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Përndryshe, Dimitrovska ishte zgjedhur si kryetare e përbërjes së re të antikorrupsionerëve, nga ku pritej të kontribuonte në rikthimin e besimit në sistemin gjyqësor. Dimitrovska në këtë pozitë erdhi pasi paraprakisht kishte punuar 19 vite në Entin Shtetëror të Revizionit, prej të cilave dy vitet e fundit ishte edhe asistente e revizorit kryesor. Për kryetare të Komisionit Kundër Korrupsion, Dimitrovska u zgjodh pasi mori numrin maksimal të pikëve nga deputetët e VMRO-së, LSDM-së, BDI-së dhe Lëvizjes Demokratike, të cilët ishin pjesë e Komisionit parlamentar për përzgjedhjen e kandidatëve. Ajo mori 100 pikë nga deputetët, por vetëm nga 20 pikë nga anëtarët e sektorit civil, të cilët gjithashtu ishin pjesë e Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve. Sektori civil atëherë doli me mendim të ndarë, duke theksuar se Dimitrovska nuk ishte zgjedhur në mënyrë objektive dhe me një votim të orkestruar nga anëtarët e tjerë të Komisionit. Mandati i Dimitrovskës filloi zyrtarisht më 8 shkurt të vitit të kaluar, ndërsa sipas akuzave të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, vepra për të cilën ajo dyshohet është kryer nga maji deri në dhjetor të vitit 2024, që do të thotë se ajo kishte filluar me dhënien e sekreteve zyrtare vetëm tre muaj pas zgjedhjes në atë pozitë. Përveç Dimitrovskës, rasti “Aditiv” dje është zgjeruar edhe ndaj dy personave të tjerë, ndërsa gjithsej janë të përfshirë mbi 30 persona fizikë dhe pesë subjekte juridike, të cilët ngarkohen për prokurime të dyshimta të mazutit për EMV-në dhe TEC Negotinë. Sipas Prokurorisë, përmes manipulimit të procedurave për dhënien e kontratave për prokurime publike, dëmi i shkaktuar në këtë rast arrin në 6,5 milionë euro.
Ndër të dyshuarit në rastin “Aditivët” janë edhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, i cili është në arrati, pasuesi i tij në këtë pozitë, Vasko Stefanov, ish-drejtori i TEC Manastir, Pece Matevski, si dhe ish-drejtorët komercial të EMV-së, Adrian Muça dhe Danço Stojanovski. /Alsat.mk