Kryetarja e Antikorrupsionit Tatjana Dimitrovska nuk shkon në punë por nuk jep as dorëheqjen

Kryetarja e Antikorrupsionit Tatjana Dimitrovska nuk shkon në punë por nuk jep as dorëheqjen

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit njoftoi se kryetarja Tatjana Dimitrovska nuk shkon më në punë, por se për shkarkimin e saj, vendim merr Kuvendi. Nga Antikorruspioni njoftojnë se dorëheqja është e drejtë e vet kryetares si akt moral meqenëse në rastin konkret bëhet fjalë për përgjegjësi individuale. Ndërkohë, komisioni do të vazhdojnë me punë pavarësisht epilogut.

“Komisioni Shtetëror punon dhe do të vazhdojë të punojë dhe të kryejë kompetencat e tij të përshkruara me ligjin për parandalim të korrupsionit dhe përplasje interesash. Gjithsesi, në interes të punës së pandërprerë dhe realizimit me sukses të qëllimeve dhe kompetencave të komisionit shtetëror, vlerësojmë se është e rëndësishme që komisioni shtetëror të funksionojë në përbërje të plotë. Njëherit ju njoftojmë se kryetarja e KSHPK, pas masave të shqiptuara nga gjykata, në periudhën e fundit nuk vjen në punë”, thonë nga  KSHPK.

Siç njoftoi kreu i Kuvendit Afrim Gashi, për momentin Kuvendi nuk ka bazë ligjore për ta shkarkuar Dimitrovskën sepse sipas rregullores, një funksionar i emëruar mund të shkarkohet vetëm pas aktvendimit gjyqësor për shkelje penale. Çfarë do iniciative që të ketë, duhet të nisë nga komisioni për zgjedhje dhe emërime.

“Çfarë do që të vendosë komisioni, unë do ta procesoj në seancë plenare. Por ligji është i qartë, nuk flet për akuzë të ngritur por për aktvendim të plotfuqishëm gjyqësor. Këtu është pjesa për të cilën duhet të mendojnë deputetët. Bazë ligjore nuk ka por pjesa e imazhit, nëse dikush mund ta udhëheqë atë komision derisa i është ngritur akuzë, kjo më tepër është çështje e etikës, imazhit dhe dinjitetit”, tha Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se partitë politike nuk ka nevojë të bëjnë estradë me ngritje të iniciativave.

“Në jetë ekzistojnë dy mënyra të përgjegjësisë. Njëra është morale kur njeriu vjen në ndonjë pozitë dhe nëse bën gabim atëherë duhet vet të tërhiqet. Dhe e dyta është penale, përgjegjësi penale nëse ka kryer vepër penale. Ekziston akti moral i përgjegjësisë, nëse dikush ndjenë se duhet të tërhiqet dhe të përfundojmë me këtë çështje. Ndërsa për përgjegjësi penale këtu janë Prokuroritë, Gjykatat, ata le ta ndjekin nëse ka përgjegjësi penale. Ne këtu tani të bëjmë estradë, po në Parlament, e në fund kjo asgjë nuk do të thotë sipas Kushtetutës. Nuk kemi më qëllim të merremi me çështje të tilla”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Koordinatori i Frontit Evropian në Kuvend thotë se nuk i kanë numrat për të votuar shkarkim të Dimitrovskës, por se çfarë do të vendosin, do ta shqyrtojnë këtë javë.

“Grupi parlamentar i Frontit Evropian do ta shqyrton modalitetin pasi që nuk i kemi numrat. Vetëm mund të iniciojmë, do ta shohim këtë javë dhe do të vendosim si grup parlamentar”, u shpreh Blerim Bexheti – Koordinator i g.p Fronti Evropian.
Dimtitrovska akuzohet nga Prokuroria se ka i ka dhënë sekrete zyrtare ish drejtorit të TEC Negotinë, NEbojsha Stojanoviq, i akuzuar në rastin “Aditiv” por edhe se ka falsifikuar certifikatën e sigurisë, pasi provimin për tu pajisur me certifikatë, në emër të saj e kishte dhënë një i punësuar në Entin e Revizionit. Përbërja aktuale e Antikorrupsionit u votua në dhjetor të vitit 2023, madje me 97 vota “PËR”./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button