Media franceze “Foot Mercato” ka raportuar se Kilian Mbape ka rënë dakord, ka tashmë marrëveshje me Real Madridin për t’u transferuar atje verën e ardhshme. Saga e Mbape-s ka marrë një tjetër kthesë, pasi një raport i ri nga kjo media franceze sugjeron se fituesi i Kupës së Botës më 2018 tashmë ka rënë dakord për t’u transferuar në kryeqytetin spanjoll, kur kontrata e tij në fuqi të përfundojë.
Një lajm në kundërshtim me informacionet e mëparshme nga “The Times”, që pretendonin se Mbape është duke kërkuar një lëvizje të mundshme në Premier Ligë, pasi nuk ka mbetur i impresionuar nga përpjekjet e Realit për ta “lidhur” atë me parakontratë.
E ardhmja e Mbape-s ka qenë subjekt i shumë spekulimeve gjatë muajve të fundit. 25-vjeçari thuhet se i tha PSZH-së se nuk do të nënshkruante zgjatje të kontratës përpara se të fillonte sezoni 2023-2024, e përforcoi këtë pretendim javën e kaluar, duke theksuar se “ka një marrëveshje” me klubin parizien për ta përcaktuar të ardhmen e tij.
Mbape ka refuzuar më parë “Los Blancos”. Kapiteni i kombëtares së Francës supozohet se kishte nënshkruar një marrëveshje me gjigantët spanjollë në vitin 2022, por bëri kthesë të bujshme dhe në vend të kësaj vendosi të qëndronte në Parisin e tij të lindjes. Kontrata e re me PSZH përfshinte një klauzolë që do t’i lejonte Mbape-s të largohej pas dy vitesh, diçka që ai duket se e ka aktivizuar.








