Kualifikohen Sinner e Gauf, në çerekfinale shkon numri 361 në botë për femra

Janë mbyllur takimet e raundit të katërt në grand slam-in e Roland Garros, turne që po zhvillohet në Paris, duke përcaktuar 8 çerekfinalistët në të dyja kategoritë.
Numri 1 në botë për meshkuj, italiani Janik Siner, fitoi 3-0 (6-1, 6-3, 6-4) ndaj rusit Andrej Rublev. Në çerekfinale shkon edhe gjermani Aleksander Zverev, numri 3, që përfitoi nga tërheqja e Tallon Griekspoor në setin e dytë (6-4, 3-0). Një biletë për në fazën çerekfinale siguroi edhe serbi Novak Gjokoviç, që mundi 3-0 Kameron Nori (6-2, 6-3, 6-2). Çerekfinalisti i fundit te meshkujt është Alexksander Bublik.
Te femrat, befasia më e madhe është eliminimi i amerikanes Xhesika Pegula, që u mund 2-1 (3-6, 6-4, 6-4) nga francezja Lois Boison, numri 361 në botë. Më tej avancon Medison Kejs, që mundi 2-0 Haili Baptiste. Nuk zhgënjen tenistja tjetër amerikane Koko Gauf, numri 2 në botë. Ajo fitoi 2-0 (6-0, 7-5) ndaj Ekaterina Aleksandrova. Në çerekfinale shkon edhe Mira Andreva e Rusisë, që mundi 2-0 Daria Kasatkina./Telesport/