Kujdesi që duhet të tregoni me nivelin e sheqerit në gjak

Kujdesi që duhet të tregoni me nivelin e sheqerit në gjak

Diabeti është një sëmundje e rëndë që rrezikon në shumë mënyra shëndetin e njeriut. Për shkak të diabetit, nivelet e sheqerit rriten aq shumë dhe rrezikojnë shumë organe. Megjithatë , ana tjetër e diabetit ka të bëjë pikërisht me nivelin shumë të ulët të sheqerit në gjak duke shkaktuar atë që njihet si hipoglicemi.

Prania e kësaj të fundit mund të shkaktojë çorientim, dobësi, kontraktime dhe disa raste edhe vdekje të parakohshme.

Sipas ekspertëve, trajtimi intensiv me medikamente dhe insulinë mund të jetë një arsye e fortë për uljen e shpejtë të nivelit të sheqerit në gjak.

Sipas analizave të plot 10.2 milionë diabetikëve nga viti 2011 deri në vitin 2014, ekspertë të ndryshëm kanë mësuar se 2.3 milionë prej tyre e kishin tepruar me medikamentet.

10,000 prej tyre pësuan disa raste të hipoglicemisë si pasojë e terapive për uljen e nivelit të glukozës.

Hipoglicemia mund të ndikojë tek personat që vuajnë nga diabeti i tipit 1 (kur trupi nuk prodhon insulinë) dhe tek diabeti i tipit 2 (kur trupi prodhon insulinë por ajo nuk është e mjaftueshme.)

Në 95 për qind të rasteve, njerëzit vuajnë nga diabeti i tipit 2.

Cilat janë nivelet e duhura të sheqerit në gjak
Nivelet normale të sheqerit në gjak variojnë nga 80 në 120 mg/dl para vakteve dhe më pak se 180 mg/dl pas vakteve.
Në rastet e hipoglicemisë, nivelet e sheqerit në gjak bien nën 70 mg/dl.

Mungesat e insulinës në treg rrezikojnë pacientët
Shumë diabetikë në botë nuk arrijnë të trajtohen siç duhet për shkak të mungesës së insulinës.
Shkencëtarët parashikojnë se sasia e nevojshme e insulinës për trajtimin e diabetikëve do të rritet me më shumë se njëzet për qind deri në vitin 2030.

Në po këtë vit, pritet që numri i diabetikëve të arrijë në përafërsisht 510 milionë njerëz në botë.
Nga ana tjetër, ata presin që qasja ndaj insulinës do të vazhdojë të kufizohet duke rrezikuar jetët e miliona njerëzve, sidomos në Azi dhe në Afrikë.

Insulina është një barnë thuajse 100 vjeçare dhe është përshkruar si një nga ilaçet më të mrekullueshme të shekullit të njëzetë.

Çmimi i saj vazhdon të mbetet i lartë për një arsye të fortë. 99 për qind e prodhimit global të insulinës, sipas BBC-së, kontrollohet nga tre kompani: Novo Nordisk, Eli Lilly dhe Sanofi.
Kërkesa për insulinë në tregun e zi është tepër e lartë dhe në 10 vjet është rritur me 90 për qind.
Çmimi i një shisheje në shumë vende të botës shkon nga 40 dollarë në 130 dollarë.

Në Shtetet e Bashkuara ai mund të arrijë mbi 300 dollarë. Kjo tarifë detyron shumë diabetikë të marrin barnat e nevojshme në Kanada./AgroWeb

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button