Kulla në Sllupçan nxit reagime, Arsovski: Qeveria duhet të veprojë

Kulla në Sllupçan nxit reagime, Arsovski: Qeveria duhet të veprojë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Përurimi në Sllupçan të Komunës së Likovës i Kullës përkujtimore për të rënët e UÇK-së gjatë luftës së 2001-shit u prit me reagime. Ndërtimi i saj nuk është pjesë e programit parlamentar për shënimin e ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishme, ashtu siç parashikon ligji për përmendore memoriale dhe shënime përkujtimore. Nga VMRO-DPMNE-ja kritikojnë kryeministrin Kovaçevski pse hesht përpara zhvillimeve të këtilla. Sipas tyre, kryeministri është nën hijen e BDI-së.

“Ngjarja në Likovë është edhe një ndër dëshmitë e shumta se titulli i vërtetë për Kovaçevskin edhe zbatues i punëve sepse më shumë se e qartë është se Ali Ahmeti është kryeministri i vërtetë i Maqedonisë. Është ndërtuar në mënyrë joligjore? As nuk kam pritur të ishte ndryshe. Mendoj se qeveria duhet më të fund të ndërmarrë diçka. Nëse vetë komuna nuk ndërmerr asnjë procedurë, qeveria ka instrumente të veprojë siç duhet”, deklaroi Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

BDI-ja mohon që kjo të jetë ngjarje partiake dhe thotë se procedura për ndërtimin e saj ka qenë ligjore.

“Nuk mendoj se ai dje ishte aktivitet partiak. Ai ishte aktivitet i Komunës së Likovës e cila, sipas informacioneve të mia, i ka respektuar të gjitha procedurat formale për ndërtimin e përmendores në Komunë, me vendim të këshillit dhe me të gjitha procedurat e mëtejme të pushtetit lokal dhe ne ishim të ftuar si mysafirë nga ana e kryetarit të komunës. Nuk shoh asgjë kontestuese në këtë pjesë”, tha Bujar Osmani, BDI.

Këtë deklaratë të Osmanit, Aleanca për Shqiptarët e konsideron si distancim të BDI-së nga ndërtimi i lapidarit, pak pasi, siç thonë nga partia opozitare, shiten si patriotë dhe partizojnë çdo gjë shqiptare.

“Bujar Osmani… ka për borxh t’i shpjegojë secilit shqiptar se prej se turpërohen ai dhe BDI-ja:  Prej UÇK-së, prej shqiptarëve, ose prej faktit se të gjitha “veprat madhore” të BDI-së në fakt janë ose pa leje, ose pa vullnet politik, ose pa vendim institucional! Inaugurimi i lapidarit nga i cili sot nxituan të distancohen BDI-stët paraqet kulmin e arrogancës politike të një kaste të llastuar nga pushteti i tepruar e i stërzgjatur, nga i cili humbet kontakti me realitetin, dhe gafat politike dhe ofendimet ndaj votuesit kthehen në përditshmëri”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët

Një ditë më parë, në Sllupçan të Komunës së Likovës, me prezencë të funksionarëve të BDI-së të paraprirë nga kreu i tyre Ali Ahmeti, përskaj varrezave të dëshmorëve u hap kulla përkujtimore e gjatë 20 metra dhe me kosto rreth 200 mijë euro. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button