Kuman, shpalos listën e “ushtarëve” për përmbysjen në Paris

Pasi ka përmbysur rezultatin në Kupën e Mbretit me Seviljën, shto këtu edhe rezultatet e mira në kampionat, Barcelona ka ende shpresë për të shkuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Misioni është shumë i vështirë, por nuk konsiderohet i pamundur. Kuman ka shpalosur listën e futbollistëve për këtë sfidë.
Ronald Araujo, pasi u kthye disa minuta kundër Seviljës dhe u zëvendësua në të njëjtën ndeshje për shkak të shqetësimit, nuk grumbullohet. Jashtë kësaj transferte delikate mbetet edhe qendërmbrojtësi Zherard Pike. Junior Firpo, i cili nuk u stërvit të hënën për shkak të sëmundjes, ishte në rregull, dhe ishte përfshirë në “ekspeditën”.
Trajneri holandez, Ronald Kuman, vazhdon të llogarisë te Mingueza dhe Inaki Penja, tashmë të zakonshëm, së bashku me Ilaiks Moriba, i cili, pas minutave të shkëlqyera dhe golit të tij të parë, do të kërkojë të debutojë në garën më madhore europiane për klubet. Konrad de la Fuente, gjithashtu ka hyrë në listë.