Kampioni i ri i Maqedonisë, FC Shkupi, të martën në mesditë do të zbulojë rivalin e tij të parë për fazën eliminatore në Ligën e Kampionëve. UEFA përcaktoi grupet për shortin dhe i reduktoi në pesë skuadra bartëse dhe jobartëse. Skuadra nga Çairi, do të jetë në rolin e skuadrës jobartëse
Nga rivalët e mundshëm, tre janë jashtëzakonisht të vështirë. Sherif Tiraspoll, sezonin e kaluar luajti në Ligën e Kampionëve dhe arriti të mposht kampionin e ri evropian Real Madridin në mes të “Santiago Bernabeu”. Këtu është Karabaku i Azerbajxhanit, pjesëmarrës në fazat e grupeve të Ligës Europa, si dhe kampioni I Sllovakisë, Slovan Bratislava.
Ekipet “më të lehta” janë Linkoln Red Imps nga Gjibraltari dhe Shamrok Rovers nga Irlanda. Mirëpo Linkolni luajti në grupe në Ligën e Konferencës, në sezonin e kaluar, ndërsa Shamrok është sigurisht një rival i papërshtatshëm.








