Kurti e quan PDK-në “shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara” – përmend Thaçin, Veselin e Sami Lushtakun

Kurti e quan PDK-në “shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara” – përmend Thaçin, Veselin e Sami Lushtakun

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e cilësuar atë si një “shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara”.

Në një intervistë në Tëvë1, Kurti deklaroi se PDK nuk është reformuar dhe, sipas tij, brenda këtij subjekti politik ekzistojnë më shumë se një lider real.

Ai përmendi Memli Krasniqin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Sami Lushtakun si figura me ndikim të drejtpërdrejtë në drejtimin e partisë.

“Unë prej përvojës politike, prej lajmeve e kam të qartë se Partia Demokratike e Kosovës nuk është reformuar. Në PDK ekzistojnë ose katër ose pesë kryetarë. Nuk e di a i ka katër a pesë, por jam i sigurt që si ka tre, as dy, as një. PDK nuk është parti, është shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara. Aty nuk merresh vesh pse ke fol me një person. Prandaj Enver Hoxhaj thotë diçka tjetër,” u shpreh Kurti.

Ai përmendi edhe deklaratat kontradiktore brenda vetë partisë, duke përmendur rastin e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili kishte komentuar për Sami Lushtakun, të cilin Kurti e quajti “prindin politik” të një deputeti të PDK-së.

“Janë edhe dy ish-kryetarët në Hagë të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh për instruksione politike,” shtoi ai, duke iu referuar Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Kurti po ashtu e akuzoi PDK-në për ndikim të thellë në sistemin e drejtësisë dhe në media, duke theksuar se me një subjekt të tillë nuk mund të ndërtohet një shtet demokratik.

LEXO EDHE:

Back to top button