Kurti i hapur për takime të radhës me liderët politikë: Jam i gatshëm për konsensus dhe kompromis
Kurti i hapur për takime të radhës me liderët politikë: Jam i gatshëm për konsensus dhe kompromis

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është shprehur i hapur për takime të tjera me liderët e partive politike për zhbllokimin e krizës në Kuvend. Ai tha se është i gatshëm për konsensus e kompromis, megjithatë këmbëngul për nevojën e votimit të fshehtë të kreut të Kuvendit. Kurti përsëriti dy propozimet e bëra në takimin e 28 qershorit me liderët e partive parlamentare. Pes muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova nuk ka formuar institucionet e reja. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend nuk po arrijnë të merren vesh për zgjedhjen e trupave të legjislativit që do t’i hapte rrugë pastaj formimit të qeverisë.
“Kam ofruar dy kompromise. I pari është që partitë politike t’i delegojnë përfaqësuesit dhe me atë rast, nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë me votë. Pa votë i njëjti nuk rrëzohet, dhe me bojkot nuk shkohet përpara. Pasi të rrëzohet ai komision, mund të kthehemi te vota e hapur, dhe me këtë rast le të kemi marrëveshje politike. Natyrisht, që kryetari dhe pesë nënkryetarët në marrëveshje paketë të votohen një nga një, por me marrëveshje paraprake. Ose kompromisi tjetër është ofruar njëanshëm nga kandidatja jonë, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se nëse nuk votohet me votim të fshehtë, nuk do të ketë nevojë të votohet dy herë për të, pasi tërhiqet. Le të provojmë votimin e fshehtë: ose fiton Albulena, ose ne sjellim një emër tjetër…PDK plus LDK nuk bëjnë sa LVV-ja. Ky është fakt i jetës dhe demokratik, me të cilin duhet të pajtohen”, deklaroi Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes. /Alsat.mk