Kurti në Samitin e Berlinit: Ka nevojë për veprime të guximshme të BE-së për të ngritur nivelin e bashkëpunimit rajonal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se BE-ja dhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të ndërmarrin veprime të guximshme për të forcuar lidhjet reciproke në përshpejtimin e reformave që hapnin rrugën e aderimit në familjen e madhe evropiane.

Ai në samitin virtual të Berlinit tha se Procesi i Berlinit u krijua në një kohë kur perspektiva e rajonit për anëtarësimin në BE dukej e largët, por fatkeqësisht edhe shtatë vjet më vonë situata nuk ka ndryshuar shumë.

“Kjo shtron nevojën për veprime të guximshme si nga BE-ja, ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor për të ripërtërirë përkushtimin dhe për të forcuar lidhjet të cilat do të përshpejtonin reformat. Është për keqardhje që nuk pati përparim në marrëveshjet e negociuara me lehtësimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Disa palë ende po shtyjnë gjuhë që nuk është në përputhje me realitetin dhe as me frymën e Procesit të Berlinit. Kosova është plotësisht e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe më shumë integrim ekonomik, bazuar në njohjen e realitetit dhe të vërtetës, të drejtave të ekuilibruara të pakicave në të gjithë rajonin, përballjes me të kaluarën drejt pajtimit dhe me qytetarët si përfituesit përfundimtarë të dialogut”, tha Kurti.

Ai ka thënë se pret që Komisioni Evropian të shqyrtojë propozimin për avancimin e marrëveshjes CEFTA në SEFTA, bazuar në modelin EFTA – EEA, pasi si e tillë do të kapërcente pengesat aktuale.

Ndryshe, në takimin e ftuar nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, morën pjesë kryeministra të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Samiti u zhvillua në katër sesione të ndara ku u diskutua për të arriturat e Procesit të Berlinit bashkëpunimin rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe për hapat e ardhshëm në këtë proces.

Në sesionin e parë folën Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Majlinda Bregu, sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Emir Djikic, drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s.

Kryeministri Kurti mbajti fjalim në sesionin e dytë të samitit, ku folën edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Në sesionin e tretë të samitit diskutuan Sebastian Kurz, Kancelar Federal i Austrisë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Italisë, Mario Draghi, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, kryeministri i Bullgarisë, Stefan Yanev, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.

Në sesionin e katërt diskutuan Olivér Várhelyi, Komisioner për fqinjësi e zgjerim të Komisionit Evropian, Albert Hani, Sekretar i përgjithshëm i Zyrës së Bashkëpunimit të të Rinjve të Rajonit, Mathias Cormann, Sekretar i përgjithshëm i OECD, dr. Hans Kluge, Drejtor rajonal për Evropë OBSH, dr. Werner Hoyer, President i EIB, Odile Renaud-Basso, President i EBRD, Rolf Wenzel, Guvernator i CEB, Christian Schmidt, Përfaqësues i lartë për Bosnje e Herzegovinë.

LEXO EDHE:

Back to top button