Kurti: Ofrova dy opsione kompromisi, opozita s’u tregua e gatshme për marrëveshje
Kurti: Ofrova dy opsione kompromisi, opozita s’u tregua e gatshme për marrëveshje

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se LVV ka lëvizur nga situata para të enjtes. “Unë kam ofruar dy opsione kompromisi”.
Kurti në fillim të konferencës ka falënderuar përfaqësuesit e partive politike që iu përgjigjën ftesës së tij për takim, në përpjekje për zhbllokimin e situatës politike pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai theksoi se përgjegjësia për formimin e Qeverisë i takon Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë, por nënvizoi se formimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha partive politike të përfaqësuara në parlament.
“Gjykata Kushtetuese ka theksuar se nuk është ajo që zgjidh mosmarrëveshjet politike mes grupeve parlamentare. Ajo ka kërkuar konsensus, kompromis dhe bashkëpunim në mirëbesim – dhe ne i kemi bërë të gjitha”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit ka ofruar dy opsione kompromisi për të zgjidhur krizën institucionale, por që sipas tij nuk kanë hasur në gatishmëri nga opozita.
“Kompromisi ynë i parë ishte ai që ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të Kuvendit, që tha se në rast të votimit të fshehtë nëse nuk i merr 61 vota, ajo tërhiqet nga kandidatura. Këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj si qëndrim të saj personal. Ajo nuk dëshiron që të votohet dy herë me votim të fshehtë. Me votim të fshehtë për Albulena Haxhiun do të votohet vetëm një herë”, deklaroi Kurti.
“Kompromisi i dytë që ua shpreha si opsion ishte që: le ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshje në paketë për kryetarin e nënkryetarët e pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komisionin për votim të fshehtë të cilin mund ta rrëzojnë me votë, sepse procesi ka mbetur në gjysmë”, tha tutje Kurti, duke shtuar se të dyja këto kompromise u refuzuan nga liderët e partive që deri tash ishin në opozitë.
Kryeministri në detyrë theksoi se është i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm dhe ftoi partitë që të veprojnë me përgjegjësi në funksion të interesit të qytetarëve dhe zbatimit të aktgjykimit të Kushtetueses.