Kurti: Policia po bën punë profesionale, nuk do të lejojmë struktura paralele në veri

Kurti: Policia po bën punë profesionale, nuk do të lejojmë struktura paralele në veri

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në forumin e sigurisë në Bratislavë i mbrojti veprimet e Policisë, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. Kurti theksoi se njësitet speciale të Policisë së Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në komunat në veri, derisa para tyre të ketë struktura kriminale. Ai tha se fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri, dhe në të njëjtën kohë të avancohet me implementimin e marrëveshjes.

“Jam i brengosur gati gjithë kohën, por nuk frikësohem. Pasi ky është përshkrim i punës që mos të frikësohem, por brengosemi. Po përpiqemi fort që të gjejmë një zgjidhje, një rrugëdalje. Kjo nuk duhet të jetë rrugë e lakuar por një hekurudhë, dy shina. Më së pari të dalim nga kriza në veri që do të thotë sundim i së drejtës, turma ose kthehet në Serbi ose burgoset në Kosovë. Pastaj të ulim praninë e policisë në objekte komunale dhe pastaj e normalizojmë situatën”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Duke folur për raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtar, Kurti tha se koordinohet vazhdimisht, por kjo nuk do të thotë se pajtohet për gjithçka. Pas diskutimit që pati në forum, Kurti për Evropën e Lirë komentoi sanksionet e SHBA-ve ndaj Kosovës. Ai e quajti fatkeqësi përjashtimin e Kosovës nga stërvitja ndërkombëtare ushtarake. SHBA-të kritikuan Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit. Pos amerikanëve, edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se autoritetet e Kosovës “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të Kosovës.

“Ne ua kemi bërë shumë të qartë autoriteteve kosovare se ishte gabim që të vazhdohej me këto zgjedhje në kontekstin, e keni parasysh, të mospjesëmarrjes se serbëve. Është mëse e qartë se autoritetet kosovare mbajnë përgjegjësi për situatën aktuale dhe këtu ka mospërputhje me marrëveshjen e arritur vetëm disa javë më parë”, u shpreh Emanuel Makron, President i Francës.

Nga ana tjetër kryediplomati i BE-së Borell tha pas takimit me Kurtin se situata aktuale në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. “Kemi nevojë urgjente për ulje të tensioneve dhe zgjidhje mes dialogut, për t’iu kthyer punës drejt zbatimit të Marrëveshjes së arritur”, ka thënë Borrell, duke iu referuar paktit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button