Kurti: Sjellja jonormale e Serbisë nuk duhet të normalizohet

Kurti: Sjellja jonormale e Serbisë nuk duhet të normalizohet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas arrestimit në Serbi, të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë, Arbnor Spahiu.

Kurti ka thënë se “sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”.

“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë”, ka shkruar Kurti në Facebook, sipër reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Më herët, MPJD tha se po i ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit të Spahiut dhe se për këtë i ka njoftuar edhe vendet e QUINT-it.

Spahiu u arrestua më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus së bashku me familjen e tij, duke u kthyer nga Austria.

Dy ditë më pas ai doli para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, ku i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj Spahiut kanë të bëjnë me rastin e Banjskës. Këto akuza konsiderohen tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek Arbnor Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.

LEXO EDHE:

Back to top button