Kushtetuesja heq mekanizmin për përfaqësim të drejtë në administratë – Alsat pyet Kostadinovski se pse arsyetimi i vendimit është identik me premtimin e VMRO!
Kushtetuesja heq mekanizmin për përfaqësim të drejtë në administratë – Alsat pyet Kostadinovski se pse arsyetimi i vendimit është identik me premtimin e VMRO!

Gazetar: Suad Bajrami
Instrumenti i cili deri më tani ka balancuar përfaqësimin etnik nëpër institucione shtetërore sot u shfuqizua nga gjykatësit kushtetues të cilët votuan në mënyrë të fshehur, ndërkaq mungoi gjykatësi Naser Ajdari, shkruan Alsat.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski tha se është manipulim të thuhet se me shfuqizimin e Balancuesit gjykata ua ka shkurtuar të drejtat bashkësive.
Siç tha ai, vendimi bazohet në atë që me balancuesin janë shkelur të drejtat dhe liritë e qytetarëve sa i përket deklarimit dhe është bërë diskriminim në bazë të barazisë pasi që në një konkurs nuk kanë qenë të barabartë të gjitha bashkësitë të konkurrojnë.
“Është e pakontestueshme që në rendin tonë kushtetues ekziston vlera themelore e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Megjithatë, ekzistojnë edhe të tjera. Njëra prej tyre është edhe liria e shprehjes së përkatësisë etnike, i tillë është neni 9 parimi i barazisë mes qytetarëve, i tillë është se të gjithëve sipas kushteve të njëjta kanë qasje në çdo vend pune, e tillë është ndalesa për diskriminim në çfarëdolloj baze. Që do të thotë kur peshojmë, kur kemi rast të konfliktit ne peshojmë nga ana se cila nga këto vlera kushtetuese në momentin e dhënë të realitetit kushtetues përbën shkelje më të rëndë të Kushtetutës”, tha Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Kostadinovski tha nëse Kuvendi parasheh në të ardhmen zgjidhje të re ligjore, duhet t’i përmbahet vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Përkatësisht, nuk guxon asnjë qytetar që me ligj të detyrohet të deklarojë përkatësinë etnike gjatë punësimit, ndërkaq institucionet nuk do të mund të mbledhin të dhëna për përfaqësimin etnik.
I pyetur nga Alsat nëse është rastësi që arsyetimi i vendimit për shfuqizimin e balancuesit është identik me premtimin e VMRO-DPMNE-së, Kostadinovski tha se atij nuk i intereson çfarë paralajmërimi ka pasur partia e Hristijan Mickoskit, pasi që nisma ka ardhur nga Biljana Ivanovska e Antikorrupsionit, gjatë kohës që VMRO-ja ishte në opozitë.
“Fare nuk më intereson, fare nuk më intereson kush është pushtet, çfarë paralajmërime ka ajo qeveri, kush është opozitë, çfarë planifikon. Nuk është ajo puna ime”, tha Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, nëse krahasohet arsyetimi i vendimit të Kushtetueses vërehet ngjashmëri me programin e Qeverisë, përkatësisht arsyetimin e pushtetit për nevojën e shfuqizimit të balancuesit.
“Duke e respektuar në tërësi parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve të cilët u përkasin të gjitha komuniteteve në Maqedoni, Qeveria do ta ndryshojë rregullativën ekzistuese, me qëllim të heqjes së instrumentit “Balancues” gjatë punësimeve. Në këtë mënyrë, fillimisht do të respektohen cilësitë personale, profesionaliteti, kompetenca dhe sistemi i meritokracisë gjatë punësimit në institucionet shtetërore”, thuhet në programin e Qeverisë. Si fakt, Kostadinovski sot e përmendi edhe atë që Mickoski publikisht në vazhdimësi e deklaronte se rekomandimi i Komisionit Evropian është që të shfuqizohet instrumenti.
Gjatë debatit paraprak për balancuesin në Kushtetuese, disponimi i gjykatësve ishte miniaturë e disponimit politik të partive maqedonase dhe shqiptare.
Gjyqtarët maqedonas janë në linjë me partitë maqedonase, ashtu siç gjyqtarët shqiptarë me partitë shqiptare./ Alsat.mk