Kushtetuesja ka abroguar nenet kontestuese nga Metodologjia për regjistrimin e popullsisë e cila ndante shtetasit në rezident dhe jorezident
Kushtetuesja ka abroguar nenet kontestuese nga Metodologjia për regjistrimin e popullsisë e cila ndante shtetasit në rezident dhe jorezident

Gjykata Kushtetuese ka abroguar disa nene nga Metodologjia e regjistrimit të popullsisë nga viti 2021. Sipas vendimit të gjykatës më të lartë, nga metodologjia hiqet kategoria “popullata rezidente” dhe “popullata jorezidente”. Në arsyetimin e vendimit, gjykatësit që kanë votuar për abrogimin e neneve kontestuese kanë konstatuar se një ndarje e tillë bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk mund të zbatohet.
“Pjesa II- “Popullsia e përgjithshme rezidente” dhe “Popullsia e përgjithshme jorezidente”. Gjykata ka vlerësuar se pjesët e lartpërmendura të Metodologjisë nuk janë në përputhje me vlerat themelore të rendit tonë kushtetues, mbi gjitha me sundimin e ligjit”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata ka konstatuar se drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave ka tejkaluar kompetencat dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke i hapur rrugën kështu organeve ligj zbatuese ta ndjekin penalisht për shpërdorim me detyrën zyrtare.
“Gjjykata Kushtetuese ka vlerësuar se drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe përmes akteve nënligjore (Metodologjisë) ka kategorizuar popullsinë në rezident dhe jorezident, gjë të për cilën nuk ka kompetencë ligjore sepse ligji nuk parashikon një kategorizim të tillë”, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.
Iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së metodologjisë ishte dorëzuar nga deputeti Skender Rexhepi, më 29 tetor 2024. Procedura ndaj nismës së Rexhepit ishte hapur më 12 mars të këtij viti. /Alsat.mk