Kushtetuta, Kovaçevski kërkon të mos pritet

Kushtetuta, Kovaçevski kërkon të mos pritet

 

Gazetare: Fatlume Dervishi

Maqedonia e Veriut nuk guxon të mbetet në grup me Kosovën dhe Bonjën dhe të mbetet në pritje në rrugën eurointegruese, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai nga Athina, në kuadër të Samitit për shënimin e 20 vjetorit të Deklaratës së Selanikut deklaroi se ka marrë përsëri konfirmime nga përfaqësues të BE-së për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese.

“Ne me Kroacinë bashkë e filluam procesin e qasjes në BE në vitin 2006. Sot Kroacia është anëtare e BE-së, anëtare e Shengenit dhe vend në të cilin mjet pagese është euroja. Kurse ne akoma kemi politikanë të cilët thuhet se duhet te pritet. Mossjellja e vendimeve, mospasja e guximit dhe mospasja e vendosmërisë, nuk do ta lëvizë vendin asnjë milimetër,” deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

LSDM-ja pretendon se me dialog do të bindë deputetë të VMRO-DPMNE-së për të ndryshuar qasje për ndryshimet kushtetuese, por sipas partisë së Mickoskit, kjo është dhe një gënjeshtër tjetër.

“LSDM-ja akoma pretendon atë për të cilën u ka gënjyer tashmë një vit dhe për të cilën Maqedonia u përplas për muri. Në fund të ditës, nuk është më aspak e rëndësishme çfarë mendon LSDM-ja kur ata janë delegjitimuar tërësisht,” tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Në rast se ndryshimet kushtetuese nuk do të miratohen, sipas kreut të Aleancës për Shqiptarët do të hapen çështje të tjera, përfshirë edhe rishikimin e pozitës së tyre në pushtet. Taravari këto komente i bëri gjatë një aktiviteti në Gostivar.

“Në qoftë se nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese do të hapet kutia e Pandorës, do të hapën shumë çështje të cilat ndoshta shumë parti i kanë mbajtur në vete dhe nuk i kanë thënë për hir të procesit. Por mendoj dhe shpresoj se do të gjindet mundësia që të ndodhin ndryshimet kushtetuese dhe së bashku me Shqipërinë të vazhdojë udhëtimi drejt BE-së. në qoftë se jo, edhe ne si parti politike do të dalim me qëndrime, do ta shohim dhe do t’i shqyrtojmë pozitën tonë,” theksoi Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Të premten e kaluar u shter debati për ndryshimet kushtetuese në Kuvend por votimi u shty për një moment tjetër. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi pretendon se ka kompetencë për të vazhduar seancën kurdo që ai ta vendosë kurse VMRO-DPMNE-ja thotë se ndërprerja e seancës dhe mosvendosja e nismës në votim paraqet shkelje të Rregullores. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button