Kuvend, debat për interpelancën ndaj ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski
Kuvend, debat për interpelancën ndaj ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski

Gazetare: Fatlume Dervishi
Për herë të dytë në këtë mandat të tij, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski mbrohet para deputetëve në debatin rreth interpelancës ndaj tij. Nisma e Të Majtës bazohet kryesisht në veprimet që çuan në tragjedinë e Koçanit dhe menaxhimin nga policia të hetimeve, pas tragjedisë. E Majta akuzoi për hetim selektiv, për lëshime në funksionimin e diskotekës “Puls”, për përdorimin e lëndëve narkotike dhe mjeteve piroteknike gjatë mbrëmjes së kobshme. Toshkovski refuzoi akuzat për veprime selektive duke krahasuar hetimin me tragjeditë e mëhershme.
“Nëse në hetim janë përfshirë ish ministër i Ekonomisë, ish sekretarja shtetërore e Ekonomisë, ish drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, nuk është e qartë se përse në hetim nuk janë përfshirë edhe bartësit aktual të funksioneve publike. Kjo kundërmon në një fshehje nga ana e qeverisë dhe pengim të drejtësisë me qëllim që të mbrohen bashkëpartiakët dhe ushtarët e paaftë partiak. Ministri dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë përgjegjësi direkte dhe pa mëdyshje për lëshime dhe për mosveprim në lidhje me ngjarjen tragjike në Koçan”, tha Sashko Jançev, E Majta.
“Nëse më herët, në të gjithë ata raste të padëshiruara katastrofale, kur Maqedonia humbi 75 jetë njerëzore, MPB-ja në koordinim me prokurorinë e atëhershme ka pasur 0 padi penale dhe 0 të dyshuar, deri më tani hetimi vazhdon akoma por MPB-ja ka dorëzuar pesë kallëzime penale dhe ka 70 të dyshuar. Ka dallim apo jo? Çdo fajësim për selektivitet, është ose rezultat i mosnjohjes së Ligjit për Procedurë Penale ose përpjekje e vetëdijshme për manipulim politik”, u shpreh Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Toshkovski mohoi kategorikisht akuzat që nëpunësit policor nuk e kanë bërë punën e tyre gjatë asaj nate, që ministria ka dorëzuar kallëzime penale për rezistencë gjatë protestave në Koçan dhe për presione ndaj aktivistëve të opozitës.
“Këto përpjekje për të imponuar narrativ të rrejshëm për gjoja presion dhe nënçmim të dhimbjes së qytetarëve janë shkelje e paturpshme e të vërtetës që lidhet me tragjedinë. Të shfrytëzohet dhimbja njerëzore dhe tragjedia e familjeve për spin të keq politik është veprim që e tejkalon mospasjen e moralin të zakonshëm politik”, theksoi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
E Majta ngarkon Toshkovskin me përgjegjësi edhe për incidentet ndëretnike gjatë muajit nëntor që kulmuan me djegie flamujsh por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë publike.
LSDM-ja po ashtu e mbështet interpelancën. Sipas tyre, persona të afërt me pushtetin janë rrezik për sigurinë në komunikacion dhe nuk përgjigjen para drejtësisë. Toshkovski tha se do të përgjigjen të gjitha ata që kanë shkelur ligjin.
“Ju e pranoni se nuk keni krijuar sistem funksional. Ky është sistem i rrënuar. Njerëzit secilën ditë e humbin jetën për shkak të vozitësve të papërgjegjshëm, aksidente me lëndime të rënda ka në secilën hap. Akoma janë të freskëta kujtimet e dhimbshme për përfundimin tragjik të Frosinës. Dhe në vend të masave rigozore për respektim të ligjit, ministri i Brendshëm i lëshon funksionarët e VMRO-DPMNE-së pa dënime. “Edhe vëlla po ta kem, do të mbajë përgjegjësi”, është gënjeshtra më e madhe që ka thënë para qytetarëve ministri Toshkovski”, deklaroi Mile Talevski, LSDM.
“U kërkoj falje gjithë qytetarëve maqedonas që me kalimin e viteve kanë krijuar përbërje të këtillë për nga kapaciteti të deputetëve të cilët në mënyrë arrogante, pa turp dhe në mënyrë manipuluese janë përpjekur qytetarëve tu shesin përralla që për fat të keq vetëm i zhyt më shumë në kënetën politike që krijuan vetë”, nënvizoi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Në listë për debat në Kuvend janë më shumë deputetë. Duke pasur parasysh numrat e pushtetit dhe të opozitës, interpelanca nuk pritet të marrë votat e nevojshme për miratim.
Disa muaj më parë kishte dështuar edhe një interpelancë tjetër ndaj Toshkovskin dhe disa ministrave të tjerë, e dorëzuar nga Fronti Evropian. /Alsat.mk