Kuvend, filloi debati për propozim-buxhetin e vitit të ardhshëm

Kuvend, filloi debati për propozim-buxhetin e vitit të ardhshëm

Gazetare: Fatlume Dervishi

Komisioni parlamentar nisi debatin për projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm. Të ardhurat në buxhet pritet të jenë në vlerë prej 5.8 miliardë euro, që është 13 për qind më shumë se buxheti i këtij viti. Parashikohet që shpenzimet të arrijnë në 6.5 miliardë euro. Deficiti buxhetor është planifikuar të jetë 4 për qind, ndërsa inflacioni 2,2 për qind.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska theksoi se Projektbuxheti përmban masa dhe politika për nxitjen e rritjes ekonomike. Sipas ministres, zvogëlohen mjetet për shpenzime joproduktive siç janë mjetet për mobilie dhe vetura, si dhe parashihen mjete për të rritur standardin jetësor të qytetarëve si rritja e pensioneve për 2500 denarë në muajin mars si dhe rritje e pagave në disa sektorë të tjerë.

“Pas numrave qëndron një koncept i ri. Numrat tregojnë luftë kundër ekonomisë gri, luftë kundër krimit, numra që do të sjellin rritje ekonomike dhe qëndrueshmëri për një afat më të gjatë. Politikat fiskale për 2025 është në funksion të konsolidimit të mëtejshëm, ristrukturim dhe optimizim të të ardhurave publike, me uljen e nivelit të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, si dhe nxitjes së aktivitetit ekonomik përmes shpenzimeve të realizuara infrastrukturore”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave.

LSDM-ja ka paralajmëruar mbi 200 amendamente me të cilat kërkon, mes tjerash, edhe rritje më të madhe të pagave. Buxhetin e cilësojnë si joreal dhe rrezik për stabilitetin financiar të shtetit.

“Nga premtimet e qeverisë nuk do të ketë asgjë. Pa asnjë vizion dhe pa asnjë kreativitet, propozim-buxheti për vitin e ardhshëm në vend që të jetë bazë për zhvillim ekonomik, do të jetë gjenerator i borxheve të reja dhe i një viti tjetër të humbur për ekonominë dhe për qytetarët. Ky projektim për rritje të lartë nuk është asgjë por justifikim për deficitin e rritur, justifikim për huamarrje të reja. Le të jetë e qartë se qasja e tillë nuk nënkupton zhvillim, por nënkupton se qeveria planifikon të harxhojë më shumë se sa janë të ardhurat. Kush do ta kthejë borxhin? A do t’i rrisim tatimet, do të shkurtojmë te shërbimet publike ose do të marrim akoma më shumë borxh?”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

57 amendamente për projekt-buxhetin do të ketë edhe Fronti Evropian. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button