Kuvendi i hap rrugë SPAK-ut për arrestimin e Berishës

Kuvendi i hap rrugë SPAK-ut për arrestimin e Berishës

Gazetare: Xhesika Sallahi

Nga njeriu që rrëzoi komunizmin, president dhe kryeministër i Shqipërisë, në periudhën e të cilit Shqipëria u bë vend anëtare e NATO-s, Sali Berishës sot shumica e deputetëve të Shqipërisë i morën imunitetin dhe përfundon si i akuzuar për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Seanca kaloi mes kaosit, tymit e përplasjeve verbale mes deputetëve. Në seancën e sotme i pranishëm në sallë ishte edhe kryeministri shqiptar Edi Rama

Vendimin e shumicës së deputetëve, Sali Berisha e quajti antikushtetues.

“Narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratike, votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimit tim. Ky vendim do të mobilizoj opozitën në shkallën më të lartë dhe nën moton “O sot, o kurrë!” do ti japë përgjigjen më të merituar këtij vendimi”, deklaroi Sali Berisha, Ish Kryeminister.

Ndërkohë që po zhvillohej seanca, jashtë Kuvendit ishin mbledhur mbështetës të Sali Berishës, të cilëve më pas iu bashkëngjit edhe vet Berisha.

“Jam më i fortë se kurrë! Jam më i vendosur se kurrë në mbrojtje të kauzës së të drejtës opozitare. Dhe unë i garantoj shqiptarët se kjo kauzë e drejtë do të triumfojë. Se forcë në botë që të mposht idealet e demokracisë nuk ka dhe nuk do të ketë. Gjithçka e marrë ndaj meje është ilegjitime. Dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Vendimet nga alfa tek omega janë marrë si hakmarrje e mirëfilltë politike në shkelje të çdo parimi dhe çdo ligji të këtij vendi”, tha Sali Berisha, Ish Kryeminister.

Kuvendi informoi SPAK për heqjen e imunitetit të Berishës. SPAK pritet t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës së Posaçme për të ashpërsuar masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit, nga detyrim paraqitje në masë arrest me burg ose arrest shtëpie. Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me çështjen “Partizani”. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button