Kuvendi i Kosovës debaton për gjendjen në veri dhe raportet me aleatët

Kuvendi i Kosovës debaton për gjendjen në veri dhe raportet me aleatët

Në Kuvendin e Kosovës sot po debatohet për veriun e vendit, ku kryeministri Albin Kurti është ftuar nga Kryesia e Kuvendit të deklarohet për situatën e krijuar dhe për raportet e lëkundura me SHBA-në.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij para deputetëve tha se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës u shoqëruan me forca të sigurisë për shkak se është dashur të sigurohet hyrja e tyre në objekte komunale pa pengesa.

Këto deklarata kryeministri Kurti i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për situatën në veri të Kosovës. Ai theksoi se ky nuk ishte vendim politik.

“Në këtë pikë më duhet të theksoj se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forca të sigurisë është vlerësim i institucioneve të sigurisë që vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë, pra nuk është vendim politik, por unë si kryeministër e mbështes këtë – edhe atëherë, edhe sot”, deklaroi Kurti.

Ai tha se e mbështet këtë vendim pasi që incidentet në ditët në vijim e dëshmuan se kishte rrezik për sulme nga “banda kriminale”.

Mes tjerash, kryeministrit tha se protestat e organizuara në komunat në veri të Kosovës nuk janë vullnet i serbëve lokale në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi zyrtar.

“Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në grumbullimet para objekteve, janë pjesë e bandave kriminale, por janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore”, tha Kurti gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ai gjithashtu tha se tani është në pyetje “çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste” dhe se ky komunitet ka nevojë për pluralizëm politik.

Kurti, tha se Lista Serbe duhet t’i paguajë vetë pasojat për tërheqjen nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës dhe kërkoi që vendimet e tyre të mos ndëshkohet Kosova.

“Nuk jemi kundër serbëve. I kemi ftuar të kthehen në institucione, mirëpo gabimin kardinal të Listës Serbe që i bojkotoi zgjedhjet, që i braktisi zgjedhjet nuk duhet ta paguajnë Republika jonë, por Lista Serbe”, tha Kurti.

Ai tha se këto ishin vendime politike të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – dhe për këta arsye, ata duhen të përballen vetë me pasojat.

Ai shtoi se eskalimi i situatës më 29 maj – kur ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar – ishte “e planifikuar mirë” dhe e orkestruar nga Beogradi.

Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

LEXO EDHE:

Back to top button