Kuvendi ndërpret punën, shkaku i mungesës së kuorumit

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kuvendi përsëri nuk arriti të votojë rendin e ditës për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të deputetëve në sallë. VMRO-DPMNE-ja lëshoi sallën sepse kundërshton riorganizimin e Komisionit për zgjedhje dhe emërime me anëtarë të rinj, të cilët pushteti propozon t’i zgjedhë në seancë plenare. Sipas tyre, zgjedhja e këtillë e deputetëve nëpër trupat punues paraqet shkelje të Rregullores.

“Përgjigja e gjithë kësaj është se ai që e ka shumicën, 61 vota, mundet të zgjedhë, të shkarkojë, të ndryshojë në seancë plenare. Prandaj, Gëzuar Vitin e Ri 1949! Fajtori kthehet gjithmonë në vendin e krimit. Urdhëroni, vendosni vetë dhe e shikoni se ngjani shumë me disa regjime që përshkruhen si të këqij në librat demokratik”, tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Propozimi që është në procedurë parashikon që kryetare e komisionit për zgjedhje dhe emërime të jetë deputetja e LSDM-së Marija Georgievska, anëtar i ri i komisionit të jetë Darko Kaevski, kurse zv/anëtar të jetë Hysni Ismaili dhe Elmi Aziri. VMRO-DPMNE-ja ka vendosur të mos bëjë propozim dhe të lërë bosh pozitën e zv/anëtarit që i takon në këtë komision. Komisioni për zgjedhje dhe emërime, pas plotësimit, do të duhet të emërojë anëtarë të rinj në trupat tjerë punues të Kuvendit të cilat kanë mbetur bosh prej kohësh duke bllokuar një sërë ligjesh dhe procedurash.

“Pres që VMRO-DPMNE-ja në periudhën e ardhshme do të japin propozimet e tyre në trupat tjerë punues të cilët duhet të kalojnë përmes këtij komisioni për zgjedhje dhe emërime, që t’i plotësojmë vendet boshe në komisione, të vendosen kryetarë aty ku nuk ka, të vendosen kryetarë nga opozita aty ku u takon. Por, për këtë, duhet të marrin pjesë në punë tonë dhe jo vetëm të jenë destruktiv, të lëshojnë sallën dhe çdo ditë të ketë hipokrizi të re”, theksoi Jovan Mitreski, LSDM.

Revoltës së VMRO-DPMNE-së e cila kulmoi me largimin nga seanca plenare ju bashkua edhe “E Majta”, të cilës ju refuzuan propozimet për plotësimin e rendit të ditës me ligjet të cilat dy deputetët e saj i kanë propozuar gjatë vitit të kaluar. Shumica, në përbërje jo të plotë, mbeti e vetme në sallë.

“Për të informuar qytetarët, kjo seancë është thirrur para 10 ditësh. Një deputet nga opozita dhe dy nga shumica kanë leje për të shkuar në delegacion për përfaqësimin e Kuvendit në institucionet evropiane. Dy deputetë të shumicës pa arsye nuk janë në Kuvend dhe nuk kanë lajmëruar se ku ndodhen. Një deputet, për arsye shëndetësore nuk është prezent. Nga 64 deputetë (të shumicës) sot këtu janë 59. Për këtë arsye nuk ka kuorum”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Nga gjithsej 67 seanca të thirrua, të papërfunduara figurojnë 21. Mosprezenca e deputetëve në sallë, mosprocedimi i ligjeve nëpër komisionet parlamentare dhe përplasjet politike kanë lënë shumë propozime pa epilog, disa prej tyre madje të filluara që në vitin 2020. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button