Kyuchyuk: Hapje të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut

Kyuchyuk: Hapje të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut

Në raportin më të ri të raportuesit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Kyuchyuk , edhe njëherë kërkohet hapje e shpejtë e negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut, ndërkaq përshëndetet edhe nxitja politike për dialogun e ripërtërirë mes Sofjes dhe Shkupit.

Siç njofton AIM, duke përkujtuar për “nevojën që të vazhdohet tempoja dhe kredibiliteti i integrimit evropian, raportuesi kërkon “hapje të shpejtë të negociatave inkuadruese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh se dy vendet i përmbushën kushtet e nevojshme dhe reflektuan rezultate të qëndrueshme në sferat themelore”.

Rekomandimi për hapje të shpejtë të negociatave, sipas Kyuchyuk , vjen duke pasur parasysh se “integrimi evropian i paraqet aspiratat e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj demokracisë dhe prosperitetit dhe shërben si katalizator i fuqishëm për reforma, duke pasur parasysh atë që vendi është partner i besueshëm, i cili vazhdoi të investojë përpjekje konzistente në rrugën e vet drejt anëtarësimit në BE dhe drejt përmbushjes dhe mirëmbajtjes së kushteve të nevojshme për hapje të negociatave inkuadruese; se vendi është kandidat prej vitit 2005; dhe duhet të vazhdohet me reformat”.

Në raportin e Kyuchyuk përshëndetet përparimi i vazhdueshëm i Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE, përkushtimi i saj ndaj multikulturalizmit dhe harmonisë ndëretnike dhe angazhimi i saj i vazhdueshëm pozitiv bilateral.

Ai mes tjerash i bën thirrje Maqedonisë së Veriut t’i mbajë dhe intensifikojë përpjekjet për përforcim të sundimit të së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësisë, luftës kundër korrupsionit, riformimit të administratës publike dhe konsolidimit të lirisë së mediumeve.

Në raport bëhet thirrje për përmirësime të mëtejshme në zbatimin e të drejtave të vetidentifikimit. arsimit individual dhe inkluziv interkulturor, të drejtat e personave me pengesa dhe të drejtat e bashkësive etnike.

Më pas u është bërë thirrje trupave relevantë që në mënyrë më aktive t’i pengojnë dhe sistematikisht t’i ndjekin të gjitha rastet e fjalorit urrejtës, krimeve nga urrejtja dhe frikësimi, në hollësi t’i hetojnë sulmet e ndërlidhura dhe të sigurojnë siguri për shënjestrat e tyre, siç janë gazetarët, njerëzit të cilët u takojnë pakicave dhe grupeve të tjera të ndjeshme.

Në fund, Ilhan Kyuchyuk e përshëndetë përkushtimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut për sigurinë euroatlantike, më pas harmonizimin në rritje të vendit me politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së dhe i bën thirrje të harmonizohet me masat restriktive lidhur me Rusinë. Me atë rast përshëndetet kontributi i saj i vazhdueshëm në misionet dhe operacionet e BE-së për menaxhim me kriza.

Në raport, eurodeputeti bullgar e përshëndetë procesin rrjedhës të “pajtimit historik me vendet fqinje” dhe në atë kontekst “fuqishëm e përshëndetë nxitjen politike për dialogun e ripërtërirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe i inkurajon partnerët ta përshpejtojnë angazhimin me vullnet të mirë, me qëllim që të arrihet kompromis i pranueshëm, e me atë të afrohen shoqëritë përmes mundësimit të së ardhmes së përbashkët në BE”.

Eurodeputetët për herë të parë do të diskutojnë për raportin më 28 shkurt në kuadër të Komisionit për punë të jashtme, ndërsa deri më 8 mars kanë kohë të parashtrojnë amandamente, pas çka sërish do të ketë debat në Komisionin për punë të jashtme pas çka do të gjendet në seancë plenare të Parlamentit evropian, ku do të votohet.

LEXO EDHE:

Back to top button