Lafçiski mori detyrën e shefit të shtatmadhorisë
Lafçiski mori detyrën e shefit të shtatmadhorisë

Gazetare: Fatlume Dervishi
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova i dha besimin shefit të ri të shtatmadhorisë gjeneral-majorit Sashko Lafçiski pavarësisht reagimeve anonime publike të pjesëtarëve të ushtrisë, se ai nuk i plotëson kushtet e nevojshme ligjore. Në Ditën e Armatës që u shënua në Ohër dhe ku prezent ishin krerët më të lartë të shtetit, Lafçiski mori detyrën nga shefi i deritanishëm Vasko Gjurçinovski.
“Para tij (para jush) janë detyra dhe sfida të mëdha. Ai (ju) duhet të marrë pjesë në mbajtjen dhe avancimin e aftësisë luftarake, të vazhdojë me reformat, ta përforcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të investojë në pjesëtarët luftarak dhe civil të ushtrisë”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Në një letër anonime të nisur dy ditë më parë nga ushtarët profesionistë në Alsat thuhet se Lafçiski nuk i plotëson kushtet për kryeshef të shtatmadhorisë, përkatësisht është katër nivele më poshtë nga standardet e kërkuara për shef të shtatmadhorisë. Në reagim theksohet se kjo është bërë me qëllim që sipas meritave profesionale dhe kushteve ligjore të anashkalohet gjeneral Besnik Emini.
Nga kushtet kryesore të cilat Lafçiski nuk i plotëson është mosha dhe stazhi. Shefi i shtatmadhorisë kërkohet të ketë të paktën 6 muaj përvojë si komandant i Komandës së Operacioneve, ndërsa rregullativa ligjore obligon që në krye të shtabit gjeneral të shkohet vetëm me kushtin që të paktën 6 muaj të jetë në krye të Komandës së Operacioneve. Mbi të gjitha ai si gjeneral brigade nuk ka përvojë 4 vje¬çare ashtu siç kërkon ligji që të mund të emërohet gjeneral major i cili me automatizëm nënkupton shef i përgjithshëm i shtabit. Sipas informacioneve që kanë arritur deri tek Alsat, Lafçinskit kjo gradë i është dhënë një ditë para se ai të dekretohet nga presidentja për shef të shtatmadhorisë. Në rrethana jo zyrtare mësohet se deri tani nuk ka qenë i pajisur as me certifikatën e domosdoshëm të NATO-s.
Nga presidenca një ditë më parë thanë se emërimi i Lafçiskit është në përputhje me ligjet./Alsat.mk