Lajçak në Kosovë, takime me Kurtin e opozitën
Lajçak në Kosovë, takime me Kurtin e opozitën

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, mbërrin në Prishtinë për një vizitë dyditore për t’u takuar me liderët kosovarë për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera. Burimet diplomatike në Bruksel thonë se ka përpjekje për të organizuar një takim të ri në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve. Edhe përgatitja e një takimi të tillë mund të jetë një prej arsyeve të udhëtimit të Lajçakut në Prishtinë. Vetë Lajçaku javën e shkuar paralajmëroi se një takim në nivel të kryenegociatorëve do të mund të zhvillohet “së shpejti“. Më herët Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës. Kosovës dhe Serbisë i është bërë e qartë se zbatimi i marrëveshjeve është rruga e vetme drejt integrimit në BE për të dyja vendet. /Alsat.mk