Laschet pret garë të ngushtë në zgjedhjet federale

Një javë para se gjermanët t’u drejtohen qendrave të votimeve për zgjedhjet federale, kandidati konservator për kancelar, Armin Laschet shprehu besimin te suksesi i  tij, pavarësisht se vazhdon të mbetet pas në sondazhe.

“Këto janë zgjedhje shumë të ngushta, një garë shumë e ngushtë”, tha Laschet për gazetarët.

Ai theksoi qëndrimin e tij kritik ndaj sondazheve të opinionit: “Sondazhet janë sondazhe, çdo ditë një sondazh i ri me një klik”, duke shtuar se shumë njerëz nuk janë përfshirë në sondazhe të tilla.

Në sondazhet e fundit, socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD), me kandidatin për kancelar, Olaf Scholz, kanë qenë disa pikë përpara CDU-së dhe partisë së saj simotër bavareze, CSU, me rreth 25 për qind mbështetje.

Anketuesit ende i shohin të Gjelbrit, me kandidaten e tyre Annalena Baerbock, në vendin e tretë.

Në një sondazh të institutit të sondazheve Insa, që do të publikohet të dielën nga gazeta “Bild am Sonntag”, CDU-CSU ka pasur përfitime të vogla, por është ende pesë pikë përqindje prapa SPD-së.

Vendi i SPD-së mbetet i pandryshuar, me mbështetjen e 26 për qind të votuesve, ndërsa CDU-CSU ka 21 për qind, 1 pikë përqindje më shumë se javën e kaluar, kurse Të Gjelbrit kanë ende 15 për qind mbështetje.

Për sa i përket popullaritetit, Laschet ka pësuar një humbje të vogël të mëtejshme dhe mbetet qartë prapa Scholz, që kryeson me 31 për qind.

LEXO EDHE:

Back to top button