Lautaro Martinez synon rekordin e Batistutës në Seria A

Lautaro Martinez, synon të kalojë një tjetër argjentinas të madh në historinë e Serie A. Sulmuesi zikaltër, golashënuesi më i mirë në kampionatin italian për momentin dhe forca lëvizëse e skuadrës së Simone Inzagit, tani synon rekordin e Gabriel Omar Batistuta, i cili në sezonin 1994-1995 arriti të shënonte 13 gola në 12 ndeshjet e para të Serie A.
Sipas “Corriere dello Sport”, Lautaro, i cili do të përballet me Frosinonen, është vetëm një gol larg “Mbretit Luan” dhe dëshiron ta thyejë edhe këtë rekord, pas një fillimi yjor të sezonit mes kampionatit italian dhe Ligës së Kampionëve.
Ndërkohë, kanë nisur negociatat për rinovimin e kontratës së Lautaro Martinez, kapitenit, shtyllës dhe golashënuesit të Interit. Sipas asaj që raportohet nga “TyC Sports”, drejtuesit e zikaltërve kanë pasur tashmë një takim fillestar ditët e fundit me Alejandro Camaño, agjentin e sulmuesit argjentinas, për të hedhur bazat e marrëveshjes për zgjatjen e kontratës.
Synimi i Interit është ta zgjasë afatin me një vit, duke kaluar nga viti 2026 më 2027, me një rritje të konsiderueshme të pagës për “Toro”. Futbollisti nga ana e tij ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Milano, ndaj gjithçka sugjeron një negociatë që do të përmbyllet shpejt, por në çdo rast pa nxitim.