Lavrov: Do ta demilitarizojmë Ukrainën
Gazetar: Luka Andreev
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov thotë se Rusia i është përgjigjur kërkesave të Donetskut dhe Luhanskut për ndihmë – dy rajone në lindje të Ukrainës që Moska i shpalli të pavarura vetëm disa ditë përpara se trupat ruse të hynin në Ukrainë, shkruan Alsat.
“Rusia do të sigurojë çmilitarizimin e Ukrainës. Rusia do të sigurojë që të hiqet nazizmi i Ukrainës. Kemi vuajtur shumë nga nazizmi, dhe populli ukrainas gjithashtu ka vuajtur nga nazizmi, që tani t’i mbyllë sytë”, tha Sergej Lavrov – Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë
Sekretari amerikan i shtetit Antoni Blinken thotë se pushtimi rus nuk është i nxitur nga çështja e zgjerimit të Aleancës.
“Kjo është padyshim diçka që ai e ka planifikuar për një kohë të gjatë dhe është një çështje shumë më e madhe se NATO-ja. E gjithë kjo është përpjekje për ta rikthyer Ukrainën në orbitën e saj, për të rivendosur diçka, nëse mund të thuhet kështu, që i ngjan Bashkimit Sovjetik”, tha Antoni Blinken- sekretar amerikan i shtetit
Luftimet në terren vazhdojnë. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka kërkuar më shumë ndihmë nga partnerët e tij, sepse sanksionet e vendosura nuk funksionojnë.
“A e bindën Rusinë sanksionet e djeshme? “E shohim në qiell, por edhe në tokë që nuk mjaftojnë”, tha Volodimir Zelenski- president i Ukrainës
Bashkimi Evropian pret që sanksionet të ndikojnë ndaj ekonomisë ruse.
“Tani duhet të veprojmë dhe të kërkojmë përgjegjësi nga Kremlini. Paketa e sanksioneve masive dhe të synuara të miratuara nga liderët evropianë e tregon qartë këtë. Ato do të kenë një ndikim të madh në ekonominë ruse dhe elitën politike”, tha Ursula von der Layen – Presidente e Komisionit Evropian
Presidenti turk Erdogan pret gjithashtu një qëndrim më të vendosur nga Perëndimi ndaj Rusisë.
“Perëndimi ka dhënë shumë këshilla edhe sot e kësaj dite dhe vazhdon të japë këshilla. Shpresoj se në Samitin e sotëm të NATO-s, do të mbahet një qëndrim më i vendosur”, tha Rexhep Tajip Erdogan – President i Turqisë
Sonte krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, takohen në një Samit të jashtëzakonshëm, në të cilin pritet të marrin vendime konkrete për veprime të mëtejshme. /Alsat.mk








