Lavrov optimist për bisedimet me Kievin, Zelenski pranon bisedimet për Donbasin
Lavrov optimist për bisedimet me Kievin, Zelenski pranon bisedimet për Donbasin

Gazetar: Lluka Andreev
“Bisedimet Rusi-Ukrainë do të kurorëzohen me suksesin e Moskës”, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, në një intervistë për mediat serbe.
Ai beson se ka shans për zgjidhje, dhe marrëveshja do të duhet të konfirmohet nga dy presidentët – Putin dhe Zelensky. Lavrov zbuloi se kërkesë kryesore ruse ishte ndalimi i vrasjeve të civilëve në zonën e Donbasit.
Sipas tij, represioni i Kievit ndaj civilëve në Donbas ka zgjatur tetë vjet, dhe komuniteti ndërkombëtar vendosi të heshtë për këtë çështje vite me radhë.
“Me sa shoh unë, ekziston mundësia që të arrihet një marrëveshje, sepse tani ka një mirëkuptim për gabimet më të këqija afatgjata të partnerëve tanë perëndimorë, edhe pse për arsye të dukshme ata ndoshta nuk do ta thonë me zë të lartë”, tha Sergei Lavrov – Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një intervistë të fundit se çështja e Donbasit do të negociohej, por fillimisht kërkoi tërheqjen e trupave ruse.
“Unë e kuptoj se është e pamundur, që Rusia të heqë dorë tërësisht nga territori. E di që ajo do të çojë në Luftën e Tretë Botërore – e kuptoj plotësisht, jam i vetëdijshëm … Kjo është arsyeja pse unë them “po”, ne mund të arrijmë një kompromis të vërtetë, por të kthehemi aty ku ishim përpara se të fillonte e gjithë kjo, dhe të përpiqemi ta zgjidhim çështjen e Donbasit, çështjen komplekse të Donbasit”, u shpreh Volodimir Zelenski- Presidenti i Ukrainës.
Rajoni i Donbasit përbëhet nga rajonet Donjeck dhe Luhansk, të cilat Putini i njohu si republika të pavarura para fillimit të luftës. Kohët e fundit, administrata e Luhanskut njoftoi se do të mbante referendum për bashkimin me Rusinë, ndërsa nga Kievi thanë se një referendum i tillë do të ishte i pavlefshëm.
Edhe Moska tha se ishte shumë herët për këtë. Një raund i ri bisedimesh mes dy delegacioneve është planifikuar për nesër në Stamboll, dhe Kremlini nuk e përjashton mundësinë që takimi i radhës të mbahet në Beograd. / Alsat.mk