Leao karikon skuadrën: Le të fitojmë trofeun e Ligës Europa
Premtuan spektakël në Anglinë e largët dhe atë dhuruan. “Djajtë” e Milan arritën një fitore të madhe, mbrëmjen e së mërkurës, që sapo lamë pas, teksa në “St. James’ Park” përmbysën me rezultatin 1 me 2, “bardhezinjtë” e Njukasëllit, duke fituar pas plot 18 vitesh sfidën e parë në tokën angleze, si dhe duke siguruar ecurinë e tyre në turnetë evropianë, edhe pse jo në Ligën e Kampionëve.
Pas fitores foli edhe tekniku i “gjigantëve” të Italisë, Stefano Pioli me shumë keqardhje u shpreh se pengu më i madh lidhur me kualifikimin në Ligën e Kampionëve është padyshim barazim 0-0 në “San Siro”, pikërish ndaj Njukasëllit në sfidën hapëse të UEFA Champions League.
“Pengu më i madh lidhet me ndeshjen e parë kundër Njukasëllit (0-0), pasi duhej ta kishim fituar për mënyrën se si luajtëm. Na vjen shumë keq që nuk arritëm të kualifikoheshim. Nuk fitonim në Angli prej vitit 2005. Ne luftuam dhe besuam deri në fund. Jam i kënaqur me fitoren, por i hidhëruar për largimin nga Ligëne Kampionëve. Ndjej keqardhje që nuk arrita të marr maksimumin e ekipit në grupe. Sepse insistoj se kam një ekip shumë më të fortë se vjet”, u shpreh tekniku italian.
Mirëpo, përveç “strategut” të pankinës, disa fjalë për kalimin në Ligën Evropa I tha edhe “ylli” i skuadrës, Rafael Leao.
“Donim të vazhdonim në Ligën e Kampionëve, e dinim që nuk mund të avanconim dot përpara pa fitore. U gëzuam për tri pikët, po sa keq që nuk mjaftuan. Tani të vijojmë përpara në Ligën Europa, turne që Milani nuk e ka fituar kurrë më parë. Le të provojmë ta fitojmë.
Ku dështuam? Mendoj se na ka munguar uria, sidomos në 2 ndeshjet e para të grupit, sepse teknikisht kemi qenë mirë. E kundërta ndodhi ndaj Njukasëllit, uria dhe shpirti i ekipit përmbysi ndeshjen. Nuk isha në formën më të mirë, por skuadra më ndihmoi shumë. Me vjen keq që nuk shënova te rasti që u ndal nga shtylla”, u shpreh anësori “luzitan.







