Lebron disa javë pushim pas dëmtimit, rrezikon sezonin

Basketbollisti i Los Anxheles Lejkers, LeBron Xhejms, do të qëndrojë disa javë pushim pas dëmtimit që pësoi dy ditë më parë në ndeshjen që kalifornianët fituan ndaj Dallasit. Në atë ndeshjen “king Xhejms” u dëmtua në periodën e tretë, por shtrëngoi dhembët dhe luajti deri në fund, duke realizuar 27 pikë. Por duket se dëmtimi në kavlijen e djathtë është më i rëndë nga sa ishte parashikuar.

Sipas mediave amerikane, pikëshënuesi më i mirë në historinë e NBA-së nuk do të luajë në ndeshjen ndaj Memfisit, por klubi u shpreh se ai do të mungojë për një kohë të pacaktuar, pa dhënë afate. Madje rrezikohet edhe sezoni, duke qenë se skuadrat kanë edhe rreth 20 ndeshje për të luajtur në sezonin e rregullt.

LeBron postoi një foto në rrjetet sociale, ku shprehet: “Dreq, është një dëmtim i keq”.

Në momentin e dëmtimit, kamerat regjistruan një shprehje të James drejtuar shokut të skuadrës Entoni Dejvis: “Dëgjova një zhurmë”.

Pas takimit ndaj Dallas, lojtari u largua nga stadiumi duke çaluar. Një mungesë e rëndësishme kjo për skuadrën e trajnerit Darvin Ham, që humbasin basketbollistin më të mirë në fazën më delikate të sezonit. Lejkers luajnë për të siguruar një vend në play off në Konferencën e Perëndimit.

LEXO EDHE:

Back to top button