LEN firmosi Deklaratën, zotohet për anëtarësim të plotë në BE dhe zhvillim të barabartë rajonal
LEN firmosi Deklaratën, zotohet për anëtarësim të plotë në BE dhe zhvillim të barabartë rajonal

Gazetare: Fatlume Dervishi
Tre liderët e partive opozitare shqiptare, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, në emër të partive të tyre u zotuan se do të angazhohen, mes tjerash, për:
Deklarata e Lidhjes Evropiane për Ndryshim
• “Betejë e pakompromistë kushtetuese e ligjore me krimin, korrupsionin dhe me abuzimin e drejtësisë,
• Barazi e plotë ndërmjet dy kombeve shtetëformuese (maqedonasve dhe shqiptarëve) duke i mënjanuar të gjitha definicionet e deritanishme kushtetuese dhe ligjore të shprehura në terma numerikë, që sot shërbejnë për t’i përcaktuar të drejtat e kombit shqiptarë,
• Hartimi i strategjisë nacionale për kthimin e mërgimtarëve të aftë për punë… dhe instalimi i patjetërsueshëm i meritokracisë në të drejtën e punës dhe avancimin në karrierë.”
Deklarata u firmos mbrëmjen e djeshme, në një event manifestimi për 28 Nëntorin. Në deklaratë potencohet angazhimi për integrim në BE, zhvillim të arsimit, zhvillimin të barabartë rajonal dhe rishikim të sistemit të rrogave në sektorin publik dhe mbështetje e sektorit privat.
“Kjo opozitë është platformë politike e cila bashkë me shoqërinë civile, me të gjithë ata që mendojnë ndryshe është e vendosur për të mbposhtur krimin e organizuar, të sponsorizuar nga partia në pushtet”, tha Izet Mexhiti, Lëvizja Demokratike.
“Duke besuar se anëtarësimi i plotë në BE është jo vetëm prirja e qytetarëve por edhe zgjidhja e vetme e nyjes së tranzicionit të gjatë e të stërmundimshëm që na I zbrazi vatrat tona, e jemi këtu të deklarojmë se integrimi në Bashkimin Evropian është synimi parësor i koalicionit Lidhja Evropiane për Ndryshim”, u shpreh Afrim Gashi, Alternativa.
“Prej këtu dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se ne do t’i heqim të gjitha definicionet ligjore dhe kushtetuese të cilat janë anashkaluese në realizimin e të drejtave të shqiptarëve, e në shumë raste janë edhe nënçmuese”, theksoi Bilall Kasami, Lëvizja Besa.
Deklarata e firmosur potencon se Lidhja Evropiane për Ndryshim mbetet e hapur për individë, shoqata dhe parti politike dhe se do të kandidojnë me kandidat të përbashkët për president dhe në zgjedhje parlamentare. /Alsat.mk