LEN: Milazim Mustafa dhe Selim Ademi të japin dorëheqjen
LEN: Milazim Mustafa dhe Selim Ademi të japin dorëheqjen

Gazetar: Adrian Kerimi
Opozita shqiptare kërkon dorëheqjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi dhe Milazim Mustafa. Arsye për këtë sipas Lëvizjes Evropiane për Ndryshim është fakti se Ademi dhe Mustafa përmes urdhrave politik kanë prishur imazhin e këshillit gjyqësor dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi me iniciativat e tyre kundër Vesna Damevas dhe Besa Ademit. Sipas Ardian Demirit, dëmi që Ademi dhe Mustafa i kanë shkaktuar sistemit gjyqësor është i pariparueshëm.
“Janë dy momente kyce të cilat i japin një goditje shumë të madhe partive në pushtet, veçanërisht BDI-së nga që të dy iniciativat nga dy individët që janë propozim partiak në këshill, dje e morën goditjen e merituar nga ana e kolegëve të tyre, por nga ana tjetër mendoj se nuk mjafton vetëm konstatimi i tillë, por mendoj se obligim moral është që i dy iniciatorëve të dy procedurave kundër Damevas dhe Ademit, si akt moral të japin dorëheqjet e tyre. në mënyrë direkte dhe indirekte i kanë shkaktuar një dëm të pariparueshëm sistemit gjyqësor dhe shtetit në përgjithësi me atë që nëpërmjet ndikimit politik deshi në mënyrë të tërthorë të bëjnë të krijojnë parakushte për kthimin e Gruevskit edhe njëherë në skenën politike në Maqedoni”, deklaroi Ardian Demiri, LEN.
Ditë më parë Këshilli Gjyqësor me shumicë votash ndërpreu procedurën disiplinore kundër kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi. Një pjesë anëtarëve mbanin qëndrimin se ndaj Ademit duhet të paktën të shqiptohet vërejtje për qasjen e saj, por shumica e anëtarëve vlerësuan se iniciativa për vërtetimin e përgjegjësisë nuk ka bazë dhe si e tillë duhet të ndërpritet menjëherë, pavarësisht se u kërkua edhe plotësimi i raportit të komisionit, gjë që nuk kaloi na shumica e anëtarëve.
Ndaj Ademit procedurën për vërtetimin e përgjegjësisë e nisi anëtari Milazim Mustafa. Në arsyetimin e nismës ishin potencuar dy elemente mbi të cilat duhet vërtetuar përgjegjësia: mungesa në mbledhjet e këshillit dhe denoncimi i presioneve politike ndaj Supremes në adresë të gabuar.
Në muajin tetor kryetarja e Supremes denoncoi presionet politike të cilat sipas saj kishin për bazë insistimin e pushtetit për ta kthyer në fuqi abolimin e ish presidentit Gjorge Ivanov nga vitit 2016, gjë që do t’i mundësonte ish kryeministrit Nikolla Gruevski kthimin në shtet pa iu nënshtruar përgjegjësive penale dhe dënimeve me burg.
Në fund të muajit dhjetor, ditët kur këshilli kishte formalizuar procedurën disiplinore kundër Besa Ademit, Gjykata Administrative me vendim të plotfuqishëm riktheu në pozitën e kryetares së këshillit, Vesna Damevamn e cila u shkarkua përmes një procedure kontestuese në prill të vitit kaluar. Kthimi i Damevas dhe mos shkarkimi i Ademit u pa si një hap i madh drejt përcaktimit për sundim të ligjit si dhe ruajtjen e dinjitetit të sistemit gjyqësor. Rol të madh luajti edhe angazhimi i ambasadorëve, posaçërisht atij të Holandës, Dirk Jan Kop dhe ambasadorit të BE-së, Dejvid Gir. /Alsat.mk