Lëndohet Rabio te Franca, “përfiton” Juventusi

Mesfushori francez Adrien Rabiot ka lënë grumbullimin me kombëtaren e Francës për shkak të një dëmtimi. Sipas “Le Figaro”, mesfushori 28-vjeçar ka patur një problem me pulpën, që e detyroi të ngrejë “flamurin e bardhë”.
Për dy ndeshjet që Franca do të luajë ditët në vijim për Euro 2024, ndaj Gjibraltarit dhe Greqisë, trajneri Deshamp ka grumbulluar Boubakar Kamara të Aston Villa. Gjithsesi, duke përfituar nga kjo situatë, skuadra e Juventus i ka bërë sot një tjetër ofertë lojtarit të saj, me të cilin kontrata skadon më 30 qershor.
“Bardhezinjtë” duan ta mbajnë me çdo kusht lojtarin, ndaj oferta e re është me 7 milionë euro në sezon. Kontrata i ka shkuar nënës së Rabiot, që është edhe menaxherja e lojtarit. Problem është oferta më e mirë që vjen nga Premier Liga, ku Man. Junajted kërkon lojtarin.
Trajneri Allegri ia ka bërë të qartë klubit se e dëshiron me çdo kusht lojtarin, por që mund të largohet me koston zero. Sezonin e ardhshëm, Juventus do të luajë vetëm në Ligën e Konferencës dhe duket se Rabiot nuk tërhiqet shumë nga ky turne, ndaj do të marrë një vendim ditët në vijim për të ardhmen e tij.