Lëvizja BESA, e vetmja që kushtëzon ndryshimet kushtetuese

Lëvizja BESA, e vetmja që kushtëzon ndryshimet kushtetuese

Gazetar: Lluka Andreev

BESA mbetet partia e vetme politike nga blloku shqiptar që kushtëzon ndryshimet kushtetuese me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kërkesa e Bilal Kasamit, nuk u mbështet as nga Aleanca për Shqiptarët në opozitë. Nga ASH thonë se nuk janë kundër zgjedhjeve, por procesi i integrimit evropian duhet të jetë prioritet dhe të mos përdoret për pikë politike.

“Çdo kalkulim me partitë e tjera politike që nuk ia duan të mirën të ardhmes së këtij vendi, dhe duke komentuar publikisht kalkulime të ndryshme politike, mendoj se nuk i sjell asgjë të mirë partisë së tyre politike dhe natyrisht vendit”, tha Naim Bajrami – Aleanca për Shqiptarët.

Përkundër pakënaqësive brenda partisë, BDI mbetet në qëndrim e përbashkët për votimin e ndryshimeve kushtetuese.
Mbështetje, pa kushte shtesë, japin edhe tre deputetët e “Grupit të Zjarrit”.

“Për përcaktimet strategjike të vendit për ndryshimet kushtetuese, për marrëveshjen me Bullgarinë, jo me një por me dy duar do të votojmë”, deklaroi Izet Mexhiti– nënkryetar i BDI-së.

Nëse merret parasysh se ka mundësi që dy deputetët e BESA-s, të mos i mbështesin ndryshimet kushtetuese, por edhe Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike, i cili për votën e tij kërkoi që Bullgaria të ndryshojë Kushtetutën dhe të njohë pakicën maqedonase, atëherë “Shumica” numëron 71 vota. Kjo do të thotë 9 deputetë më pak se 80, që nevojiten për ndryshimin e Kushtetutës. Deputetët Apasiev dhe Kërmov nga Levica janë kategorikisht kundër ndryshimeve, ndërsa nga VMRO-DPMNE kërkojnë garanci nga BE-ja, se pas ndryshimit të mundshëm të Kushtetutës, Bullgaria nuk do ta bllokojë më vendin.

Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Kushtetutë, pas së cilës do të fillonin të hapen kapitujt e negociatave për anëtarësimin në BE. Qeveria po përpiqet që kjo të ndodhë më së voni deri në nëntor, kur mbaron procesi i skriningut, ndaj është paralajmëruar edhe intensifikimi i konsultimeve për ndryshimet kushtetuese nga java e ardhshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button