Liban/ Izraeli vijon sulmet, humb jetën një person dhe 20 të tjerë mbetën të plagosur

Liban/ Izraeli vijon sulmet, humb jetën një person dhe 20 të tjerë mbetën të plagosur

Autoritetet libaneze bënë të ditur se një person humbi jetën dhe 20 të tjerë u plagosën ditën e sotme, si pasojë e bombardimeve të reja izraelite në jug të Libanit, pavarësisht armëpushimit që ka qenë në fuqi prej shtatë muajsh.

Nga ana tjetër Izraeli deklaroi se kishte shënjestruar objektiva të Hezbollahut.

Një dron izraelit goditi një ndërtesë banimi në qytetin Nabatiyeh, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e 13 personave të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, që iu referua agjencisë shtetërore të lajmeve, ANI.

Ushtria izraelite theksoi se kishte shënjestruar një strukturë nëntokësore të Hezbollahut, të cilën kjo e fundit po përpiqej ta rikthente në funksion.

Forcat ajrore izraelite goditën një objekt të përdorur nga organizata terroriste Hezbollah për menaxhimin e zjarrit dhe mbrojtjes në zonën Beaufort, në jug të Libanit,” thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.

Sipas saj, objekti i goditur ishte pjesë e një ‘projekti të madh nëntokësor’ që tashmë është çaktivizuar plotësisht pas sulmeve. Izraeli theksoi se kishte vërejtur përpjekje për restaurimin e tij dhe për këtë arsye kishte shënjestruar infrastrukturën përkatëse.

Prania e këtij objekti dhe përpjekjet për rikthimin e tij përbëjnë një shkelje të qartë të marrëveshjeve mes Izraelit dhe Libanit,” thuhej më tej në deklaratë.

Pavarësisht armëpushimit të shpallur më 27 nëntor, ushtria izraelite ka vijuar me bombardime në jug të Libanit, duke pretenduar se ka në shënjestër grupin shiit pro-iranian, Hezbollahun, i cili është përqendruar kryesisht pranë kufirit.

LEXO EDHE:

Back to top button