Libani thotë se 29 persona janë vrarë nga sulmet izraelite
Libani thotë se 29 persona janë vrarë nga sulmet izraelite
Libani tha se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 29 persona në mbarë vendin më 12 nëntor, në mesin e tyre edhe persona që ishin zhvendosur si pasojë e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Sulmet kanë shënjestruar jo vetëm bastionet e Hezbollahut, sikurse janë ato në periferi të Bejrutit, por edhe zona ku ky grup, që mbështetet nga Irani, tradicionalisht nuk ka prani.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se në një qytezë në jug të Bejrutit u vranë të paktën 12 persona dhe u plagosën tetë të tjerë.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban tha se në ndërtesën që u shënjestrua po strehoheshin personat që kishin ikur nga bombardimet që Izraeli kryen në luftën kundër Hezbollahut.
Hezbollahu është grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun ushtarak, por jo edhe grupin politik të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
Ministria e Shëndetësisë tha se disa kilometra më në jug, në rajonin Alej, u vranë edhe tetë persona.
Në jug të Libanit, Ministria e Shëndetësisë raportoi për sulme në Tefahta dhe Rumin, ku u vranë shtatë persona.
Sipas autoriteteve libaneze, Izraeli ka kryer sulme edhe në rajonin Hermel, në Luginën Beka në lindje që gjendet në kufi me Sirinë, duke vrarë edhe dy persona të tjerë.
Po ashtu Nabatijeh, qyteti më i madh në jug të Libanit, ishte cak i sulmeve të Izraelit.
Hezbollahu, ndërkaq, tha se ka gjuajtur raketa në një bazë ajrore afër Tel Avivit, pasi Izraeli kreu një valë sulmesh në Bejrut.
Izraeli ka raportuar për dy viktima si pasojë e sulmeve nga Libani.
Që nga 23 shtatori, Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Liban, kryesisht duke goditur bastionet e Hezbollahut në jug të Bejrutit dhe në lindje dhe jug të vendit. Më 30 shtator, Izraeli nisi një ofensivë tokësore në Liban.
Mëngjesin e së martës, Izraeli kreu dhjetëra sulme ajrore në jug të Bejrutit, tha media shtetërore, pasi ushtria izraelite paralajmëroi banorët në katër qarqe që të evakuoheshin.
Ushtria izraelite tha se ka goditur “caqet terroriste të Hezbollahut” në jug të Bejrutit, përfshirë “qendrat komanduese, vendet ku prodhohen armë dhe infrastrukturë tjetër të Hezbollahut”.
Përshkallëzimi i konfliktit në Liban vjen pasi për pothuajse një vit, Izraeli dhe Hezbollahu këmbyen zjarr në kufi, pas nisjes së luftës në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.
Më shumë se 3.300 persona janë vrarë në Liban që kur nisën përleshjet, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Shumica e viktimave, sipas kësaj ministrie, janë regjistruar që nga fundi i muajit shtator.