Liderët botërorë mblidhen në Londër, samit për Ukrainën

Liderët botërorë mblidhen në Londër, samit për Ukrainën

Gazetare: Xhesika Sallahi

Kryeministri britanik Starmer dhe presidenti ukrainas, Zelenski, mbajnë samitin për Ukrainën dhe sigurinë me dhjetëra liderë evropianë në Londër. Të pranishëm në samit janë edhe presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula fon der Leyen, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe ministri i jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan. Qëllimi i takimit është krijimi i një plani armëpushimi, që më pas t’ia dërgojnë Shteteve të Bashkuara. Kryeministrja italiane, Xhorxhia Meloni, para samitit tha se të gjithë janë të angazhuar për të arritur një paqe të drejtë në Ukrainë.
“Të gjithë jemi shumë të angazhuar për një qëllim që të gjithë duam ta arrijmë, i cili është një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme në Ukrainë. Mendoj se është shumë, shumë e rëndësishme që të shmangim rrezikun që ndan Perëndimi. Dhe mendoj se për këtë, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave, le të themi, kështu që ju e dini se unë kam propozuar edhe një takim mes udhëheqësve amerikanë dhe evropianë”, tha Xhorxhia Meloni, kryeministre e Italisë.

Një ditë më herët, kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën, për të rritur kapacitetin mbrojtës. Megjithatë, ai po ashtu theksoi se çdo marrëveshje e paqes për Ukrainën do të kërkonte që SHBA-ja të japë garanci të sigurisë. Nga ana tjetër, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, më herët, tha se Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin me presidentin amerikan, Donald Tramp. Në takimin e tyre dy ditë më parë presidenti ukrainas Zelenski dhe ai amerikan, Tramp, patën një përplasje të ashpër para kamerave, e cila u pasua me largimin e Zelenskit nga Shtëpia e Bardhë. Trump tha se Zelensky nuk po tregohej mirënjohës, duke shtuar se po luante “bixhoz me jetën e miliona njerëzve”./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button