Liderët e BE-së nuk arritën marrëveshje për emërimin e drejtuesve të rinj
Liderët e BE-së nuk arritën marrëveshje për emërimin e drejtuesve të rinj

Liderët e Bashkimit Evropian nuk u pajtuan për emërimin e drejtuesve të rinj të institucioneve evropiane, në takimin e tyre. Mungesa e marrëveshjes u konfirmua nga presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel. “Është detyra jonë që deri në fund të qershorit të biem dakord për kandidatët për postet kryesore në BE dhe agjendën strategjike”, tha Michel në fund të darkës së punës së liderëve evropianë. Liderët u mblodhën në Bruksel, në përpjekjen e parë për të arritur një marrëveshje për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së, Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, dhe emrin e ri në pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Kandidatura e shefes së deritashme të BE-së, Ursula von der Leyen, është e sigurt, por tani liderët e bllokut janë në kërkim të emrave të rinj për pozitat që kanë mbajtur Charles Michel dhe Josep Borrell. Emrat që kanë shanset më të mëdha për këto poste, sipas informacioneve jozyrtare, është ai i ish-kryeministrit të Portugalisë, për pozitën e presidentit të Këshillit Evropian dhe ai i kryeministres së Estonisë për pozitën e kryediplomatit të BE-së.
“Ishte një bisedë e mirë. Mendoj se shkon në drejtimin e duhur, por nuk ka marrëveshje në këtë fazë. Partitë politike po luajnë rol, kjo është e natyrshme, në një moment kaq kritik. Kanë bërë propozime. Është detyrë e jona që të marrim vendim deri në fund të qershorit. 27 drejtuesit do të duhet të punojnë shumë, të sigurohemi që do të ketë një marrëveshje”, tha Çarls Mishel, president në largim i KE-së. /Alsat.mk