Lideri i Boko Haram është vrarë me urdhër të ISIS

Terrorizonte prej më shumë se një dekade pjesë të mirë të Nigerisë, por edhe vendet kufitare. Në 2014 rrëmbeu 300 vajza në një shkollë, duke marrë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar. Vrasjet dhe masakrat ishin metoda e preferuar e liderit të grupit terrorist Boko Haram, Abubakar Shekau, për të shpërndarë mesazhin e Shtetit Islamik.

Por pikërisht metodat e tij, si dhe paparashikueshmëria dhe moskoordinimi për veprimet e tij me liderët e ISIS në Lindjen e Mesme, ka qenë edhe shkaku i vdekjes së nigerianit ekstremist.

Lajmi vjen nga lideri i një “trungu” të shkëputur në 2016 dhe rival të Boko Haram. Bëhet fjalë për Abu Musab Al-Barnawi, liderin e të ashtuquajturës Provinca perëndimore afrikane e Shtetit Islamik (Iswap), tashmë grupi zyrtar i ISIS në atë pjesë të Afrikës.

Barnawi në një mesazh audio dëgjohet se flet me bashkëpunëtorë të tij ku flet për vdekjen e Abubakar Shekau, në fakt një vetëvrasje me jelek shpërthyes, pak para se të binte në duart e forcave të Iswap.

“Ai ka kryer krime të paimagjinueshme. Sa njerëz ka shkatërruar? Sa ka vrarë? Zoti e la në jetë, por në momentin e duhur i dërgoi ushtarë me kurajë për ta vrarë, me urdhër të liderit të besimtarëve”, pra me urdhër të drejtpërdrejtë të liderit të ri të ISIS, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurashi, thotë Barnawi.

Aktiviteti i Boko Haram ka shkaktuar vdekjen e të paktën 30 mijë personave, ndërkohë që më shumë se 2 milionë persona kanë braktisur territoret nën kontrollin e organizatës famëkeqe, tashmë e braktisur edhe nga vetë ISIS.

LEXO EDHE:

Back to top button