Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pritet të takojë presidentin Vladimir Putin në Rusi

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pritet të takojë presidentin Vladimir Putin në Rusi

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pritet të takojë presidentin Vladimir Putin në Rusi për të diskutuar për furnizimin me armë të Moskës për luftën e saj në Ukrainë, thanë Shtetet e Bashkuara. Ukraina po vazhdon kundërofensivën e saj në jug dhe lindje kundër forcave ruse, por Putin e cilësoi si dështim ofensivën ukrainase, edhe pse Moska duket se po kërkon që urgjentisht të sigurojë më shumë furnizime ushtarake për forcat e saj. Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, tha se “negociatat për armët midis Rusisë dhe Koresë së Veriut po përparojnë në mënyrë aktive”.

“Ne kemi informacione se Kim Jong Un pret që këto diskutime të vazhdojnë, përfshirë edhe përmes një takimi të liderëve në Rusi”, shtoi ajo. HBA-ja paralajmëroi se Rusia veçse është duke zhvilluar bisedime sekrete me Veriun për të marrë një sërë municionesh dhe furnizimesh për përpjekjet e luftës së Moskës. Kim ka të ngjarë që të niset më vonë gjatë këtij muaji me tren në Vlladivostok të Rusisë, që gjendet jo larg Koresë së Veriut, për t’u takuar me Putinin, raportoi The New York Times. Megjithatë, Kremlini refuzoi që të konfirmonte një takim të mundshëm midis Putinit dhe Kimit. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button