Ligj i ri për sistematizimin e administratorëve

Qeveria miratoi tekstin e propozim-ligjit për sistemimin e administratorëve shtetëror, përkatësisht të punësuarve në Ministri për Sistem Politik por që nuk kanë një vend pune. Me këtë, ky institucion beson se do të zgjidhë problemin e stërzgjatur me sistematizimin e të punësuarve në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, të cilëve për vite më radhë nuk u gjendej dot një vend pune, nuk pranoheshin nga institucionet shtetërore si nëpunës të tyre ose vetë refuzonin vendin e punës dhe vazhdonin të merrnin rroga duke qëndruar në shtëpi. Teksti të cilin e ka siguruar Alsat parashikon sistemimin e administratorëve sipas nivelit arsimorë.
Neni 3:
“(2) Marrja nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet përmes sistemimit të punësuarit në vendin e punës në nivel të njëjtë, gjegjësisht në vendin e punës në të cilin i punësuari i përmbush kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në aktin e sistematizimit të vendeve të punës në institucionin ku merret ose sistematizohet”.
Pas hyrjes në fuqi, MSP harton plan për marrjen e nëpunësve administrativ të cilin ia dorëzon Qeverisë për miratim.
Neni 4:
“…më së voni 15 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i propozon Plan për marrjen e nëpunësve administrativ të pa sistemuar nga Ministria të punësuar përmes Programit K-5”.
Organi ekzekutiv obligohet që 30 ditë pas pranimit të planit ta miratojë të njëjtin, ndërsa MSP obligohet të përpilojë aktvendim për çdo të punësuar. Nëpunësi administrativ detyrohet që në afat prej 7 ditës të nënshkruaj deklaratë për pranimin e aktvendimit, në të kundërtën i shfuqizohet vendimi i punës dhe evidentohet si i punësuar i pa sistemuar në listën për transferim të mundshëm në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Kjo dispozitë nuk obligon dikasterin e Administratës për pranim të domosdoshëm të nëpunësit me aktvendim të përhershëm. Propozim-ligji përfshinë të punësuarit të cilët nënshkruajnë marrëdhënie punës deri më 31 dhjetor të këtij viti, ndërsa në Nenin 7 parashikohen gjoba për personat përgjegjës në institucione të cilët nuk zbatojnë dhe harmonizojnë aktet për organizim të brendshëm dhe sistemimin e vendeve të punës. Nga MSP thonë se propozimi pritet të kalojë leximin e parë leximin e parë në Kuvend më 14 dhjetor. Sistemimi i administratorëve është premtuar disa herë deri më tani. Pushteti aktual e filloi këtë proces në vitin 2018 kur faza e parë duhet të përfundonte për dy muaj. Procesi nuk u përfundua asnjëherë. Jo zyrtarisht flitet se janë mbi 1500 administratorë që marrin rroga por nuk kanë një vend pune.
Adrian Kerimi