Ligjet e propozuara për Korridoret 8 dhe 10-D, kundërshtohen nga opozita

Ligjet e propozuara për Korridoret 8 dhe 10-D, kundërshtohen nga opozita

Gazetare: Fatlume Dervishi

Opozita thotë se shteti duhet të paguaj shuma marramendëse në rast se nuk ndryshon në kohë ligjin për marrëdhënie pune që t’i mundësojë Behtel-Enkës të angazhojë punëtorët e saj deri më 60 orë pune në javë, në ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Sipas partisë opozitare, kryeministri Kovaçevski dhe zv/kryeministri Grubi kanë ra dakord për këtë pikë, duke shkelur autorizimin e tyre si pushtet ekzekutiv.

“Sipas një pjese të marrëveshjes të cilët e kemi parë ata kanë marrë përsipër që në afat prej 45 ditësh nga dita e firmosjes së marrëveshjes ta ndryshojnë ligjin për marrëdhënie pune dhe të mundësojnë 60 orë pune në javë, në të kundërt duhet të paguajnë penale prej 53 milion eurosh. Gjithashtu kanë marrë përsipër që secilin muaj të paguajnë 1 milion 265 mijë euro penale të vazhdueshme deri sa zgjat marrëveshja nëse nuk ndryshohet ligji”, tha Eli Panova, VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE përgatit amendamente për të gjitha tetë ligjet në procedurë parlamentare. Amendamente përgatit edhe E Majta e cila vlerëson se qytetarëve nuk do të kenë të drejtë të plotë të vendosin mbi pronat e tyre që i kam projekti, kurse zbatuesi i projektit do të mund të ndërtojë në tokë bujqësore dhe pyjore pa kaluar procedurat e deritanishme ligjore.

“Ne kështu hymë në një lloj të feudalizmit korporativ ku ligjet nuk vlejnë për korporatat por për njerëzit e thjeshtë. Dua që opinioni ta di se nëse diçka kalon, do të kalojë sepse partia më e madhe opozitare do që të kalojë. Ne, me dy deputetë dhe me resurset e kufizuara që kemi do të bëjmë gjithçka që këtë ta ndalojmë”, u shpreh Borisllav Kërmov, E Majta.

Ndryshimet e propozuara kundërshtohen edhe nga 3-4 deputetë të pushtetit të cilët një ditë më parë votuan kundër nevojës për ndryshimin e ligjeve. VMRO-Partia Popullore kërkon që qeveria të publikojë marrëveshjen e plotë me Behtel Enkën.

“Zbatuesi si partner strategjik është e detyruar t’i respektojë ligjet e shtetit ku punon dhe jo të kushtëzojë se cilat ligje duhet të ndryshohen, aq më tepër, është simptomatike që pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe pas fillimit të punëve. Tani ne nuk e dimë ku jemi as në pjesën e ligjeve dhe as financiarisht. Tani më 1 miliard e 600 milionë nuk vlen sepse secilën ditë nga 4 prilli rritet çmimi me penalet, prandaj duhet ta publikojnë (marrëveshjen)”, tha Lupço Ballkovski, VMRO-Partia popullore.

Partitë që kundërshtojnë marrëveshjen e pushtetit akuzojnë se dëmtohet edhe buxheti i shtetit pasi zbatuesi i projektit lirohet nga tatimi i akcizës, i lëndëve të para dhe nga doganat.

Tetë propozim-ndryshimet u bënë kryesisht nga deputetë të BDI-së dhe tani janë shpërndarë nëpër komisione për shqyrtim. Ata do të mundësojnë lehtësimin e procedurave të ndërtimit dhe arsyeja është realizimi i autostradave të Korridorit 8 dhe 10-D. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button