Ligjet për Korridoret rikthehen në Kuvend, përplasje për keqpërdorimin e yllit të BE-së

Ligjet për Korridoret rikthehen në Kuvend, përplasje për keqpërdorimin e yllit të BE-së

Gazetare: Fatlume Dervishi

Keqpërdorimi i flamurit të BE-së ishte argumenti më i madh që e shfrytëzoi opozita në seancën e sotme plenare për të kundërshtuar pesë ligjet e rikthyera në procedurë parlamentare, të cilët kanë të bëjnë me ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10D, e të cilat ketë herë janë me flamur të Bashkimit Evropian. Sipas VMRO-DPMNE-së, ligjet nuk kanë asgjë të përbashkët me legjislaturën evropiane. Partia opozitare bën përpjekje për të bllokuar procedurën, tani nëpërmjet të propozimeve për rendin e ditës, fjalime këto që mund të zgjasin, duke qenë se më shumë se 40 deputetë do të bëjnë propozimet e tyre.

“Me veprimet tuaja ju jeni më afër realizimit të interesave tuaja biznesore të koalicionit por qytetarët gjithmonë e më shumë I largoni nga BE-ja. ky nuk është fronti evropian për të cilin flisni. Ky është front evropian kriminal. Ju nuk e respektoni as qëndrimin e delegacionit i cili u deklarua për këtë. Deklaratat për harmonizim qëndrojnë bosh vetëm me nënshkrim nga propozuesi kurse konkretisht për ligjin për ndërtim nuk ka as të dhënë se kush e ka firmosur deklaratën”, deklaroi Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Në të njëjtin mendim është edhe E Majta, e cila po ashtu ka vërejtje për shkeljen e procedurës nga ana e kryetarit të Kuvendit, sa I takon afatit të vendosjes së ligjeve në rend dite. Xhaferi nuk vlerëson se ka bërë shkelje.

“Këto materiale për pesë ligjet e famshme të cilat i shtyni me flamur të BE-së kanë arritur në datën 8 kurse sot jemi data 10. Ata janë materiale të reja dhe e shkelni nenin 68 të Rregullores sepse ai nen parashikon 10 ditë pune për materialet e reja”, tha Borisllav Kërmov, E Majta.

“Nuk është e ndërlidhur me afatin në të cilin ju thirreni. Prandaj është paraparë që plenumi të vendosë për vënien në rend dite të procedurës së shkurtuar ose jo sepse plenumi vendos për nevojën”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Të mendimit se ka keqpërdorim të flamurit të BE-së janë edhe disa nga deputetët e shumicës parlamentare. Konkretisht deputetja e Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë Maja Moraçanin dhe deputeti i VMRO-Popullore, Lupço Ballkovski votuan kundër nevojës së këtyre ligjeve.

“Definitivisht nuk bëhet harmonizim i rregullativës ligjore me legjislaturën evropiane dhe ky është qëllimi kur ndonjë ligji i vendoset yll i BE-së, atëherë ky ligj duhet të harmonizohet. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për këtë prandaj këto pesë propozime nuk duhet të shqyrtohen me këtë procedurë”, theksoi Maja Moraçanin, Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë.

Ministrat të cilët kishin ardhur në Kuvend për të elaboruar nevojën e ndryshimit të ligjeve, përsëriten të njëjtat argumente, bëhet fjalë për interes strategjik.

“Qëllimi i ndryshimit të ligjit është që të mundësohet realizim i përshpejtuar i ndërtimeve me interes strategjik për ndërtimin e rrugëve shtetërore”, u shpreh Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit.

“Me ndryshim të ligjit për shpronësim mundësohet lehtësim i procedurave për shpronësim kur bëhet fjalë për projekte me interes publik”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Në sallën e Kuvendit ishte dhe zv/kryeministri i parë Artan Grubi, koordinator i ndërtimit të Korridoreve 8 dhe 10D. Pas votimit të rendit të ditës, pesë ligjet duhet të kalojnë në Komisionin për çështje evropiane me të cilin udhëheq deputeti Arbër Ademi. Afati i debatit për secilin prej ligjeve tashmë me procedurën e re, është i kufizuar në vetëm dy ditë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button