Ligjet reformuese mbesin peng i vullnetit të deputetëve

Ligjet reformuese mbesin peng i vullnetit të deputetëve

Gazetar: Mefail Ismaili

Numër i madh i ligjeve që rregullojnë mirëqenien e qytetarëve dhe janë ligje kyçe për rrugën euro integruese të vendin vazhdojnë të mbeten peng i vullnetit të deputetëve. Ndër to janë edhe Ligji për kthimit të TVSH-së nga 1800 në 2100 denarë, Ligji për reformën tatimore për të cilin duhet të mbahen diskutime, Ligji për pushimin e lindjes, si dhe propozim ligji për veprën penale, me të cilin sulmi ndaj gazetarëve do të llogaritet si sulm ndaj personave zyrtar. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Bojan Stojanovski, akuzon partitë në pushtet se nuk mund të grumbullojnë shumicë të duhur në pushtet, për shkak se merren me interesat e ngushta partiake.

“Që kur është kryeministër Kovaçevski, nga shtatori i vitit të kaluar dhe deri në fund të vitit, nga Qeveria kanë arritur gjithsej 60 ligje ose materiale për tu shqyrtuar në Kuvend, dhe 15 prej tyre janë ratifikime. Respektivisht vitin i kaluar ka qenë rekord për numrin më të ulët të propozim ligjeve nga institucionet e Qeverisë… Nëse vazhdojnë të sillen kështu për shkak të interesave të ngushta personale mes koalicioneve atëherë nuk mund të sigurohet funksionim i Kuvendit”, deklaroi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli thotë se problemet e pushtetit për të mbajtur shumicë stabile, shkaktojnë kaos në funksionimin e Kuvendit. Ai thotë se nuk është opozita përgjegjëse për të krijuar shumicë parlamentare.

“Nuk mundet opozita ta mbajë gjallë shumicën parlamentare, shumica parlamentare duhet ti ketë kapacitetet e duhura, duhet ta ketë numrin e duhur, andaj edhe quhet shumicë parlamentare dhe si e tillë e shohim që mungon. Veçanërisht tash pas pushimeve të Vitit të Ri vërehet se nuk ka funksionim normal të Kuvendit dhe javën e kaluar u vërejt se shumica parlamentare ka mungesë të numrave të saj, jo rastësisht shtyhen gjërat. Edhe sot prej informacionit në koordinimin e partive politike nuk ka pasur diçka për të cilën është biseduar dhe me të cilën do i ofrohet një rrugë zgjidhje situatës me mos efikasitetin e Kuvendit”, u shpreh Fadil Zendeli, Lëvizja BESA.

Nga LSDM-ja në pushtet, deputetja Snezhana Kaleska, një ditë më parë tha se prej kësaj jave Kuvendi do të fillojë të jetë më efikas dhe më aktiv. Ndërsa sot thotë se aktiviteti i Kuvendit pritet të fillojë nga java e ardhshme, dhe kërkon nga opozita të jetë më kontruktive.

“Është fakt se në të gjitha ata rrethana të cilat e dimë dhe këtu nuk mund të them se të gjitha janë për shkak të bllokimit të opozitës, kishte edhe rrethana objektive, por është fakt se pjesa më e madhe është për shkak të sjelljes dhe bllokimeve të opozitës, e kjo është e pakalueshme, por përsëri do të them se e gjithë ajo që ishte kyçe dhe e rëndësishme ne arritëm ta sjellim… mendoj se që nga java tjetër do të punohet në mënyrë intensive”, tha Snezhana Kaleska, LSDM.

Për shkak të mungesës së shumicës, më 10 janar, nuk filloi edhe seanca e 99-të e Kuvendit, të cilën kreu i kuvendit e paralajmëroi para vitit të ri. Në analizën për punën e Kuvendit për vitin 2022, të cilën e prezantoi vetë kryeparlamentari,  shihet qartë numri i ulët i seancave të komisioneve por edhe i seancave Plenare. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button