Ligji për amnisti, Lloga: Propozimi nuk përfshin dhunuesit e 27 prillit
Ligji për amnisti, Lloga: Propozimi nuk përfshin dhunuesit e 27 prillit

Gazetar: Adrian Kerimi
Të paktën 286 persona do të lirohen krejtësisht nga Ligji për amnisti dhe mbi 960 të tjerë do të përfitojnë liri të pjesshme. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga tha se nuk ka informacion për lëndët të cilat amnistohen apo personat, por thjesht është i njohur me veprat të cilat nuk preken nga kjo amnisti. Ndonëse pranon se ka një analizë të mirëfilltë për këtë, Lloga tha se akoma nuk dihet saktësisht kush përfiton nga amnistia. Ai tha se 27 prilli nuk përfshihet nga kjo masë ligjore, duke përgënjeshtruar edhe listat e publikuar anë media për emrat e personave të mundshëm që do të preken plotësisht nga amnistia.
“Përsëritet ligji i vitit 2018, pra do të jetë i njëjti ligj por nuk do të falen ato vepra për krime seksuale dhe krimet në familje, nuk do të falet asnjë vepër që ka të bëj me korrupsionin nga personat e zgjedhur dhe të emëruar nëpër institucione”, tha Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.
Ligji do t’i dorëzohet Kuvendit javën që vjen. Lloga pret mbështetjen e të gjithë deputetëve, në të kundërtën do t’i adresohet secilit veç e veç me fotografitë nga kushtet e burgut.
“Nëse bllokohet, do iu dërgoj të gjithë deputetëve përveç albumit ke kushtet e burgut të Idrizovës do ua dërgojë edhe nga një pasqyrë që ta shohin veten para pasqyrës, publikut dhe familjes vetë dhe nuk mund të lejojmë që njerëz të dënuar nga pakujdesia të kthehen si kriminel në shtëpi”, deklaroi Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.
Propozim-ligji do të dorëzohet me procedurë të shkurtër. Paralajmërimet e opozitës janë që të njëjtin do ta bllokon përmes amendamenteve. Qeveria nuk ka paraparë që i njëjti të propozohet me flamurin e BE-së. Zgjidhja ligjore u propozua me qëllim shpopullimin e burgjeve, ndërsa në procedurë e sipër është edhe projekti për burgun e ri në Idrizovë. Në nëntor pritet të hapet tenderi i ri, ndërsa në çerekun e parë të 2024 të vendoset gur themeli. /Alsat.mk