Ligji për gjuhet nuk gjen zbatim edhe në Institucione të drejtuara nga kuadro shqiptarë

Gazetare: Evi Shkopi

Ligji i gjuhëve nuk zbatohet madje as tek disa ministri me të cilat drejtojnë ministra shqiptarë. Inspektorati për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve ka konstatuar mosrespektim të këtij edhe tre vjet pas hyrjes në fuqi, shkruan Alsat.

Nga 19 inspektime të realizuara, janë regjistruar së paku 13 raste kur Institucionet nuk e zbatojnë ligjin për gjuhët.

“Aktvendimet që janë miratuar me vërejtje janë: Ministria e Arsimit dhe shkencës, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Punëve dhe Politikës Sociale, Ministria e Vetëqeverisje Lokale, Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor dhe Ujësjellës dhe Kanalizime-Shkup. Kemi pasur një ankesë në Kumanovë dhe një në Komunën e Bërvenicës”, deklaroi Fatmir Iseni – drejtor i Inspektoratit të Gjuhëve.

Iseni thotë se shumica e institucioneve të mësipërme arsyetohen me mungesën e përkthyesve, por sipas tij këto institucione kanë mundur të zgjidhin këtë problem përmes sistematizimit. Sipas informacioneve të Alsat Ligji nuk gjen zbatimin e duhur edhe në organet e drejtësisë.

“Keni ndonjë indikacion për Prokurorinë?

“Po, kemi informacione se edhe atje nuk respektohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Kështu që në periudhë shumë të shkurtër inspektorët do të bëjnë mbikëqyrje inspektuese edhe në Prokurori”, u shpreh Fatmir Iseni – drejtor i Inspektoratit të Gjuhëve.

Numri i inspektorëve që janë në dispozicion për të monitoruar të gjitha institucionet në vend është i vogël. Në bazë të sistematizimit vetëm në kryeqytet janë paraparë 32 inspektorë, por Inspektorati akoma nuk ka marrë dritë jeshile nga Ministria e Financave. Për momentin me licencë janë të pajisur 3 inspektorë, ndërsa edhe 5 të tjerë pritet të pajisen në muajin maj. Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në çdo institucion qytetarët kanë të drejtë që dokumentet t’i kërkojnë edhe në gjuhën shqipe, ndërsa në rast se kjo nuk ju mundësohet, rastin mund ta paraqesin në zyrat e Inspektoratit ose ne faqen zyrtare të këtij institucioni./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button